Politika Basha: Sot jo interpretime politike, Qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës

Basha: Sot jo interpretime politike, Qeveria të shpallë gjendjen e emergjencës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bën thirrje qeverisë të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës për të mjekuar të dëmtuarit, për të inventarizuar dëmtimet, për të mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit, ndërsa vë në dukje se “ZERO interpretim politik nuk kam sot”.

Ai iu shpreh ngushëllimet më të thella familjeve që kanë humbur të afërmit e zemrës dhe u uron shërim sa më të shpejtë të lënduarve.

“Ky mëngjes na gjeti të tronditur thellë nga tërmeti i frikshëm që fatkeqësisht, solli humbje jetësh njerëzore, lëndime, si dhe dëme të mëdha.

Partia Demokratike, unë dhe familja ime u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve që kanë humbur të afërmit e zemrës, dhe u urojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarve.

Ne po bëjmë gjithçka që t’i gjendemi pranë çdo shqiptari në këtë fatkeqësi dhe tronditje të madhe të përbashkët.

ZERO interpretim politik nuk kam sot, përveçse një thirrje qeverisë që të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës, për të mjekuar të dëmtuarit, për të inventarizuar dëmtimet, për të mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit.

Vëllezër dhe motra!

Të gjithë në këmbë, solidaritet të pakursyer dhe të pakushtëzuar! Si vëllezër dhe motra të një gjaku, të një kombi, në krah te njerëzve që kanë humbur të afërmit e shtrenjtë, në krah të qytetarëve të lënduar që janë ende të tronditur dhe të dëmtuar rëndë.

Respekt, mirënjohje dhe mbështetje totale mjekëve, infermierëve, punonjësve të policisë, ushtarakëve, personelit të strukturave të emergjencës, kompanive që po ndihmojnë me çfarë munden për të përballuar këtë situatë të rëndë. Të gjithë bashkë si një familje e madhe, pa asnjë dallim, do t’ia dalim!”, shkruan Basha.