Sport Bayern zhvlerëson yjet e PSG-së në Paris. Feston edhe Milan

Bayern zhvlerëson yjet e PSG-së në Paris. Feston edhe Milan

Bayern Mynih ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës çerekfinale të Champions League, teksa ka fituar 0-1 ndeshjen e parë në transfertë ndaj PSG-së, me gol të realizuar nga Coman.

Pjesën e parë, Bayern e dominoi totalisht, duke krijuar disa raste të pastra për shënim, ndërsa në anën tjetër, PSG ishte thuajse inekzistent në fushën e lojës.

Goli i parë i takimit u realizua në minutën e 53-të teksa kanadezi Davies asistoi për francezin Coman, i cili e dërgoi topin në rrjetë.

Në minutën e 82-të, Mbappe realizoi pas një aksioni të bukur, por në fund, pasi u konsultua me VAR-in, arbitri e anuloi golin për pozicion jashtë loje.

Me këtë fitore në transfertë, tashmë Bayern e pret i qetë ndeshjen e kthimit të 8 marsit në Gjermani aty ku do të luhen edhe 90 minutat e kthimit, të cilat do të përcaktojnë skuadrën çerekfinaliste.

Edhe pse po vuan prej javësh në Serie A, Milani ka arritur të fitojë minimalisht 1-0 ndaj Tottenham në ndeshjen e parë me eliminim direkt të Champions League, me një gol të realizuar nga spanjolli Diaz.

Hernandez ishte nismëtar i këtij goli teksa u shkëput në të majtë, ndërsa goditi në drejtim të portës, por u ndal nga portieri. Topi i kthyer përfundoi në këmbët e shtatshkurtrit spanjoll, i cili fillimisht goditi me këmbë, ndërsa më pas me kokë e dërgoi topin në rrjetë.

Më tej, ndeshja ishte thuajse e barabartë deri në fundin e takimit, kur kuqezinjtë patën dy raste të arta për shënim me anë të De Ketelaere e më pas me Thiaw.

Tashmë për të mësuar skuadrën e kualifikuar në çerekfinale të Champions League nga ky çift do të duhet të presim edhe 90 minutat që do të luhen më 8 mars në Angli.