Sport Bayerni shkon +6 me Dortmundin. Tedesco debuton me fitore te Leipzig

Bayerni shkon +6 me Dortmundin. Tedesco debuton me fitore te Leipzig

Fitore me përmbysje e Bayern Munchen në Bundesliga, ngec Dortmundi në Bochum, teksa Domenico Tedesco debuton me fitore si trajner i Leipzig.

Kampionët në fuqi triumfuan 2-1 përballë Mainz, në një sfidë që doli më e vështirë se sa mendohej. Miqtë mbyllen pjesën e parë në avantazh falë golit me kokë të austriakut Karim Onisiwo.

Bavarezët reaguan në pjesën e dytë dhe gjetën barazimin në minutën e 53-të. Asist i Tolisso dhe finalizim i Kingsley Coman, ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e 74-t.

Jamal Musiala veproi bukur, shmangu një mbrojtës kundërshtar dhe dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë, duke gjetur golin e tretë sezonal në Bundesliga.

Fitorja e sotme e ka ngjitur ekipin e Nagelsmann në kuotën e 37 pikëve dhe distanca me Dortmundin ndjekës ka shkuar 6 pikë.

Verdhezinjtë e mbyllën në barazim 1-1 përballjen me Bochum në transfertë. Vendasit fituan një penallti në minutën e 40-të dhe Sebastian Polter u tregua i saktë nga pika e bardhë. Marius Wolf gjeti golin e barazimit në minutën e 54-t, por VAR-i e anuloi.

Gjithsesi, Dortmundi ia doli të shënojë një tjetër gol pesë minuta nga fundit. Julian Brandt mori një asist nga Erling Haaland dhe evitoi humbjen e skuadrës së tij.

Domenico Tedesco e filloi me 3 pikë aventurën në pankinën e Leipzig, që mposhti 4-1 M’Gladbach, duke u rikthyer te fitorja në kampionat pas tre javësh.

Josko Gvardiol dhe Andre Silva shënuan për vendasit në pjesën e parë, teksa në fraksionin e dytë të ndeshjes Christopher Nkunku dhe Benjamin Henrichs vulosën suksesin me “poker” të Leipzig. Ramy Bensebaini shënoi golin e nderit për ekipin mik.

Në ndeshjet e tjera, Hoffenheim mori 3 pikë fantastike për fitores 1-2 në fushën e Freiburg. Raum dhe Richards shënuan golat e fitores për ekipin mik, që arriti triumfin e katërt radhazi në kampionat dhe tani renditet në vend të katërt.

Feston edhe Hertha Berlin. Ekipi kryeqytetas mposhti 2-0 Arminia Bielefeld, falë dy golave në pjesën e dytë nga Stevan Jovetic dhe Davie Selke, duke rigjetur 3 pikët në kampionat pas pesë javësh.