Bota Benedikti XVI thyen heshtjen dhe i kërkon Françeskut të mos shugurojë të...

Benedikti XVI thyen heshtjen dhe i kërkon Françeskut të mos shugurojë të martuarit

Ish-Papa Benedikti XVI i ka bërë thirrje publikisht pasardhësit të tij, Papa Françeskut, të heqë dorë nga shugurimi i burrave të martuar, një iniciativë tejet e pazakontë në Vatikan, sipas gazetës franceze Le Figaro.

Përballë mungesës së priftërinjve, sidomos në Amerikën Latine, sinodi sugjeroi shugurimin e burrave të martuar në moshë të pjekur, mundësisht vendas.

Papa Françesku duhet të vendosë për këtë çështje shumë të ndjeshme në javët e ardhshme.

Benedikti XVI, i cili hoqi dorë nga froni papal në 2013, duke thyer heshtjen, bëri që mesazhi i tij të bëhej i njohur në një libër të shkruar me kardinalin ultrakonservator Robert Sarah, fragmentet e të cilit u botuan nga e përditshmja franceze.

“Është urgjente dhe e nevojshme që të gjithë, peshkopët, priftërinjtë dhe laikët, të kthehen në pikëpamjen e Kishës dhe beqarisë priftërore që mbron misterin e saj”, vunë në dukje autorët e librit.

Ata kërkojnë që Kisha të mos lejohet të bjerë nën “ndikimin e këqijave që kërkojnë të degradojnë beqarinë priftërore”.

“Heqja e martesës në mënyrë që të jetë plotësisht në dispozicion të Zotit është bërë pikë referimi për shërbimin e priftërisë”, shkruan Benedikti.