Politika Berisha, mesazh Yuri Kimit nga “Foltorja” me shqiptarët e SHBA: Dy momentet...

Berisha, mesazh Yuri Kimit nga “Foltorja” me shqiptarët e SHBA: Dy momentet e papranueshme

Foltorja e radhës e ish-kryeministrit Sali Berisha ishte me shqiptarët e Shteteve të Bashkuara. Përpos shpalljes së tij “non-grata” nga SHBA, përmes një komunikimi online me mbështetësit demokratë, Berisha tha se lëvizja e tij është pro-amerikane.

“Keni dëgjuar shpesh këto kohë të flitet nga peng-kryetari i PD se kjo lëvizje është anti-amerikane, se kjo lëvizje është kundër SHBA, unë ju garantoj ju se kjo është lëvizja më pro amerikane që nga nëntori ’90 e deri sot në Shqipëri”, tha Berisha.

Ish-kryeministri i dërgoi një mesazh edhe ambasadores së SHBA në Shqipëri Yuri Kim.

Berisha tha se për të dy momente janë të papranueshme nga sjellja e ambasadores duke veçuar njohjen e zgjedhjeve dhe censura që kërkon sipas tij t’i vendosë “Foltores”.

“Dy fjalë për zonjën ambasadore që shpesh i lejon vetes të bëjë sekretaren ideologjike të PS. Dy momente për mua janë të papranueshme, përgëzimi që i bëri zgjedhjeve dhe së dyti thirrja që u bën gazetarëve për të vendosur censurë ndaj Foltores dhe Sali Berishës. Për mua përbën shkelje të Kushtetutës amerikane që garanton më mirë se të gjithë lirinë e shprehjes dhe fjalës”, tha Berisha.

Ai shtoi se kjo nuk bën që ai të humbasë respektin  për SHBA të cilat i përkufizoi si vendi i madh i lirisë. “Megjithatë asgjë nuk humb respektin tonë për vendin e madh të lirisë. Jam i bindur që Partia Demokratike në pushtet do ndërtojë marrëdhënie të shkëlqyera me vendin ku ju jetoni”, shtoi Berisha në fjalën e tij.