Kryesore Berisha: Përsëris thirrjen që Uashingtoni të hetojë aferat dhe pronat e Yuri...

Berisha: Përsëris thirrjen që Uashingtoni të hetojë aferat dhe pronat e Yuri Kim në Shqipëri

Sali Berisha ka nisur mesditën e së hënës një bashkëbisedim “live” me ndjekësit e tij në Facebook.

Ndërsa u përgjigjet pyetjeve të bëra nga ndjekësit e tij, Berisha përsëriti edhe një herë thirrjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hetojnë “aferat dhe pronat e ambasadores Yuri Kim në Shqipëri.”

Berisha e akuzon kryediplomaten amerikane se ka mashtruar qeverinë e saj dhe se ka ndërmarrë akte të dënueshme ndaj drejtësisë shqiptare.

“Mjafton të kujtoj këtu se prokurorët që ajo ka kapur vazhdimisht me kërkesën staliniste se pse nuk e arrestoni Sali Berishën. Disa prej tyre do kishin dashur t’ia plotësonin atë dëshirë, por kanë marrë përgjigje se nuk rezulton asnjë fakt, asnjë dokument. Por ky është vetëm një aspekt i saj.

Aspekt tjetër shumë i rëndë është qëndrimi në aferën McGonigal. Ajo është kokë e këmbë e përzier dhe një kopje me fustan e McGonigal në kuptimin e korrupsionit nga kjo qeveri për të luftuar opozitën në mënyrën më të paprinciptë.

Unë kam zgjedhur të mbroj interesat e publikut shqiptar duke e denoncuar atë në çdo rast. I kam bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, Kongresit të SHBA-së, FBI, të hetojë aferat korruptive, përfshirë pronat e saj në Shqipëri. I garantoj se PD-ja është e gatshme të ndihmojë në transparencën e këtij hetimi”, tha Berisha.

Ndërsa, i pyetur nëse do të ketë protesta për zgjedhje të parakohshme nëse opozita fiton shumicën e bashkive, Berisha deklaroi se aktualisht qëllimi kryesor është rikthimi i së drejtës së shqiptarëve për të votuar si qytetarë të lirë.

“Unë ju garantoj se do bëhet gjithçka për t’i shkurtuar jetën qeverisë së Edi Ramës dhe që qytetarët të votojnë të lirë. Edhe në këtë fushatë, Rama po shkel çdo rregull dhe parim të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Në fund, fatura do i shkojë vetëm atij”, shtoi Berisha.