Politika Berisha: Sterilizimi, vjedhja e dytë e shekullit, autorë Beqja dhe Rama

Berisha: Sterilizimi, vjedhja e dytë e shekullit, autorë Beqja dhe Rama

Sali Berisha në konferencën e tij të përjavshme me gazetarët ka folur për arrestimin e 7 ish-zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë për koncesionin e sterilizimit.

Si autorë kryesorë të vjedhjes ai i cilëson ish-ministrin Ilir Beqja dhe kryeministrin aktual Edi Rama.

“Ilir Beqja ka firmosur hapjen e procedurës së koncesionit 10-vjeçar të sterilizimit dhe ka firmosur renditjen dhe pikëzimin në garën false të koncesionit të emigrantit me një kompani që kishte të punësuar veten dhe një tjetër. Ilir Beqaj ka firmosur kontratën, në të cilën në shkelje flagrante të ligjit, janë lënë të hapur jo vetëm dritaret, por edhe dyert për të vjedhur dhe vjedhur sa më shumë.

Ilir Beqaj, i ka dhuruar mikut të tij, ose ka vendosur në emër të tij sipërmarrjen Beqaj-Rrapaj, duke përvetësuar si hajdut, aparaturën më moderne të sterilizimit dhe të gjithë logjistikën e saj. Qeveria me paratë e buxhetit bleu 1.7 milionë euro një aparaturë ultramoderne të sterilizimit. Ajo nuk u vu në përdorim dhe u pa se duheshin dërguar teknikë dhe inxhinierë për specializim.

Ilir Beqaj i dhuroi ndërmarrjes së tij aparaturën, lokacionin dhe qindra-mijëra sete kirurgjikale, të lara në flori, e bën pronar të tyre dhe tani u thotë shqiptarëve më paguani mua pesëfishin e kostos për një operacion. Për një set veglash që nevojiteshin për një operacion, çmimet shkonin në stratosferë. Nëse ti në këtë operacion të thjeshtë, të nevojiteshin tre vegla, do paguaje aty 30 sepse të tillë të sillnin setin.”

Berisha u bën thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta për dy vjedhjet e shekullit, referuar aferës së inceneratorëve dhe koncesionit të sterilizimit.

“Me këtë rast, unë u drejtohem edhe njëherë qytetarëve shqiptarë. Siç e shihni, kjo organizatë kriminale në pushtet ka kryer vjedhjet më të paimagjinueshme ndaj taksave tuaja, të ardhurave tuaja, pronave tuaja. Sepse pronat publike janë pronat e qytetarëve, nuk janë të pushtetarëve. Cilido që pret se do ketë një hetim, se drejtësia do bëhet jashtë regjisë, mashtron veten. Kemi të bëjmë me një drejtësi, totalisht me regji. Ndaj dhe duhet të ngrihemi, sepse në dy vjedhjet e shekullit, autorët kryesore të tyre, qëndrojnë të pacenuar. Qëndrojnë të sigurt dhe hedhin kocka apo koka turku në mënyrë që t’u mashtrojnë. Ndaj dhe të dashur qytetarë dhe qytetare, asnjë popull nuk do të toleronte afera të tilla, mega-afera të tilla vjedhjeje dhe shpërdorimi. Është në dorën tonë të rivendosim ligjin, shtetin ligjor duke larguar këtë organizatë kriminale të kryesuar nga Edi Rama.”