Bota Biden: Raketat në Poloni mund të mos jenë hedhur nga Rusia

Biden: Raketat në Poloni mund të mos jenë hedhur nga Rusia

Pas një takimi urgjent të mbajtur në samitin e G20 me liderët botërorë për sulmin në Poloni, presidenti amerikan Joe Biden është shprehur se ka informacione që raketat të mos kenë ardhur nga Rusia.

“Ka informacione paraprake që e kundërshtojnë atë. Nuk dua ta them këtë derisa të hetojmë plotësisht. Por nuk ka gjasa, që sipas vijës së trajektores të jetë qëlluar nga Rusia, por do të shohim. Unë do të sigurohem që të kuptojmë saktësisht se çfarë ndodhi. Pastaj do të vendosim për hapin tonë të ardhshëm”.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s do të hetojnë plotësisht përpara se të veprojnë. Takimi me liderët e tjerë në samitin e G20 u thirr nga Biden menjëherë pas raportimit për dy të vrarë në një fshat të Polonisë lindore pranë kufirit me Ukrainën.

Nëse rezulton që Moska është fajtore për shpërthimin atëherë kjo mund të aktivizojë zbatimin e parimit të mbrojtjes kolektive të NATO-s të njohur si Neni 5, sipas të cilit një sulm ndaj një prej anëtarëve të aleancës perëndimore konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve, gjë që nxit më pas diskutimet për një përgjigje të mundshme ushtarake.

Zyrtarët polakë në Varshavë thanë se qeveria e tyre kishte të ngjarë të kërkonte një takim të NATO-s sipas Nenit 4 të traktatit për konsultime midis aleatëve dhe gjithashtu ta ngrinte çështjen në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së sot.

Pavarësisht qëndrimeve të disa shteteve, në përfundim të takimit të G20 u miratua edhe rezoluta për Ukrainën. “Shumica e anëtarëve e dënuan fuqishëm luftën në Ukrainë dhe theksuan se ajo po shkakton vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore dhe po përkeqëson ekonominë globale duke kufizuar rritjen, duke rritur inflacionin, duke ndërprerë zinxhirët e furnizimit, duke rritur pasigurinë e energjisë dhe ushqimit dhe duke rritur rreziqet e stabilitetit financiar”, thuhet në deklaratë, cituar nga agjencia Reuters.

Ndërkaq nga ana tjetër Drejtori i CIA-s William Burns ka udhëtuar në Kiev ku është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Sipas Burns u diskutua përforcimi i angazhimit të SHBA për të ofruar mbështetje për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Zelensky u shpreh se sulmet me raketa të së martës nga Rusia ndaj Ukrainës ishin mesazhi i Moskës se nuk ka interes për t’i dhënë fund luftës. Dy prej rreth 100 raketave që lëshoi Rusia goditën një fermë në fshatin Przewodów të Polonisë pranë kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona. Mediat polake gjithashtu raportuan se bëhet fjalë për dy raketa.

Sirenat e sulmit ajror ranë në mbarë vendin dhe shpërthimet u dëgjuan në disa qytete të mëdha. Në kryeqytetin Kiev, raketat goditën një bllok apartamentesh pesë-katësh. Sulmet erdhën katër ditë pasi trupat ruse u tërhoqëshn nga qyteti Kherson në jug, i vetmi kryeqytet rajonal që Moska pushtoi nga fillimi i luftës.