Politika Bregu: Pa Ballkanin, BE nuk do të jetë kurrë e plotë!

Bregu: Pa Ballkanin, BE nuk do të jetë kurrë e plotë!

Bratislavë – “BE pa Ballkanin Perëndimor kurrë nuk do të jetë e plotë. Por nuk mund që të vijojë e njëjta qasje dhe kjo qasje të na japë stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ajo duhet të marrë një qasje shumë më tepër politike dhe strategjike në rajon. Le të shkojmë nga “gjeopoetika” në gjeopolitikë. BE duhet të jetë e gatshme që realisht të konsiderojë Ballkanin Perëndimor si përparësi të saj gjeopolitike dhe të ndikojë dhe t’i japë formë  konfliktit politik në rajon në betejën për ose kundër Evropës. Kjo qasje do të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit dhe ndikimin në oborrin e vet të trazuar”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, duke folur sot në Forumin GLOBSEC në Bratislavë së bashku me Presidentët e Malit të Zi dhe Serbisë, Milo Gjukanoviç dhe Aleksandar Vuçiq, përkatësisht; dhe Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë; në panelin “Ballkani Perëndimor, duke u larguar nga Evropa?”.

“Ballkani Perëndimor i përket zinxhirit të vlerave evropiane dhe duhet të mbetet fort në rrugën e demokracisë, lirisë, të drejtave individuale dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Nëse BE është e angazhuar për një të ardhme të përbashkët, dhe ekonomitë e rajonit janë po ashtu, nuk ka asnjë arsye që procesi  integrimit të kufizohet dhe të ndalet. Koha e gjatë në dhomën e pritjes së Evropës ka ndikuar ndjeshëm në rajonin tonë. OKB vlerëson se deri në vitin 2050 Ballkani Perëndimor (BP) mund të humbasë 14% të popullatës aktuale. Rrjedhja e trurit është veçanërisht shqetësuese, pasi ajo në masë të madhe përfshin punëtorë dhe profesionistë të rinj dhe shumë të kualifikuar. Shkalla e papunësisë së të rinjve (mbi 35%) është më shumë se dyfishi i asaj të BE-së”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i RCC.

“Për të ndryshuar këtë dhe për të ndryshuar tendencat negative nuk është e mjaftueshme thjesht të shënoni tiket në kuti për hir të proceseve burokratike dhe standardeve. Ne duhet të përpiqemi për të zbatuar reforma strukturore dhe të pakthyeshme, të cilat e sjellin rajonin më afër standardeve të BE-së dhe kështu të përmirësohet jeta  e qytetarëve”, përfundoi Bregu

Puna e RCC ka për qëllim pikërisht lehtësimin e një transformimi të shëndetshëm të ekonomive të rajonit, nëpërmjet zbatimit të Planit shumëvjeçar të veprimit për një zonë ekonomike rajonale. Hapat e bërë përpara në aspektin e integrimit digjital dhe lëvizshmërisë përfaqësojnë përafrim të vërtetë me standardet e BE. Ushtrimi në integrimin rajonal është po ashtu një stërvitje për integrimin e ardhshëm në BE.