Aktualitet Burg për të arrestuarit e dosjes “Metamorfoza”

Burg për të arrestuarit e dosjes “Metamorfoza”

GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 personat e arrestuar në operacionin më të fundit të SPAK të quajtur “Metamorfoza”, mes të cilëve ish-zyrtari i policisë Oltion Bitri edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka.

6 personat e arrestuar pas operacionit të SPAK janë të dyshuar për ngjarje të rënda kriminale gjatë vitit 2020 dhe 2021, por edhe të përfshirë në paligjshmëri, pra përfaqësues të Policisë së Shtetit, por edhe prokurorë.

SPAK e konsideroi këtë dosje si të mbuluar nga sekreti hetimor dhe ju kërkoi avokatëve që të mos e fotografojnë dosjen dhe as të mos mbajnë shënime prej saj, por ta lexojnë dhe të bëjnë mbrojtjen në gjykatë.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, Pëllumb Gjoka akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Gjin Boriçit, si dhe akuzohet se ka krijuar kushtet dhe ka siguruar mjetet për vrasjen e Kleant Musabelliut, një ngjarje e cila nuk është realizuar. Ai akuzohet edhe për “korrupsion pasiv” dhe se ka siguruar kushtet për vrasjen e Dorjan Dules dhe Ibrahim Licit. Edmond Preka akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër si dhe për “armëmbajtje pa leje”. Astmer Bilali dyshohet se ka siguruar kushtet për vrasjen e Dorjan Dules, Ibrahim Licit dhe Gent Tafilit dhe se ka siguruar kushtet për vrasje. Ish-drejtuesi i Operacionales akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe nxjerrje të akteve sekrete dhe prokurori Xhevahir Lita për akuzën e korrupsionit.

TË ARRESTUARIT

Më datë 27.07.2023 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kanë ekzekutuar urdhërat për ekzekutimin e vendimit penal nr.94, date 23.07.2023, për 6 shtetas:

1- Pëllumb Gjoka

2- Edmond Preka

3- Astmer Bilali

4- Ardit Hasanbegaj

5- Oltion Bistri

6- Xhevahir Lita

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas të tjerë, S.T. dhe N.F., si të dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.