Extra Maratona e Bebeve në Pogradec, 500 pjesëmarrës nga 25 vende (VIDEO)

Maratona e Bebeve në Pogradec, 500 pjesëmarrës nga 25 vende (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga maratona e bebeve të zhvilluar në Pogradec.

“Maratona e bebushave në Pogradec. Në Pogradec, një maratonë e veçantë me vogëlushë të moshave nga 4-15 muajsh, në kuadër të maratonës ndërkombëtare “Marathon Enkelana” me rreth 500 pjesëmarrës nga 25 vende të botës tashmë të regjistruar si pjesë e kësaj maratone duke e kthyer këtë qytet në pritës të një ngjarje të madhe sportive: 21 km, Lin-Pogradec dhe 10km, Pogradec-Buçimas-Pogradec”, shkruan Rama.

Një ditë më parë u zhvillua dhe maratona e bebushave të moshës nga 6 deri në 15 muajsh, një aktivitet që solli atmosferë të gëzueshme në qytetin në breg të liqenit që në këta muaj vere është i mbushur plot me vizitorë vendas dhe të huaj.

Me një gjatësi piste 4 metra, nuk ishin të paktë bebet që e përshkuan nën thirrjet nxitëse të prindërve dhe kuriozëve që kishin mbushur sheshin qendror të qytetit, tek Odeoni. Organizimi i bashkisë së Pogradecit dhe Marathon Enkelana rezultoi i suksesshëm në pjesëmarrje dhe në atmosferë duke ofruar atmosferë të hareshme për të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël. Bashkia e Pogradecit ka menduar kalendar aktivitetesh për sezonin veror si një ofertë më shumë gjatë sezonit turistik që i shtohet liqenit, ajrit të pastër dhe peizazheve të pakrasueshme të rrethinave.

Mjeshtrja e Sporteve, Pavlina Evro ndau edhe certifikatat për bebet pjesëmarrës që ishin të gjithë fitues. Maratona e bebeve u mbajt në kuadër të edicionit të 2-të të Marathon Enkelana.