Politika Bylykbashi: Listat e hapura, alibi e Ramës për të hequr koalicionet

Bylykbashi: Listat e hapura, alibi e Ramës për të hequr koalicionet

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik tha se pas mbledhjes së të premtes, u pa qartë qëndrimi i socialistëve sa i përket çështjes së koalicioneve parazgjedhore.

“Dashurinë për listat e hapura, Rama e ka alibi për të hequr koalicionet. Është një farsë dhe justifikim në funksion të këtij qëllimi, që të ndryshojë rregullat e garës. Përfaqësuesi i mazhorancës refuzoi edhe pse i dhanë modelet e vendeve si Belgjika, Holanda, Danimarka, Letonia, Italia”, tha Bylykbashi.

“Nëse nuk i duket model mazhorancës diçka që ka funksionuar për 17 vitesh, është e qartë që e gjithë kjo është për të vrarë mundësinë e partive politike për t’u bashkuar e për të garuar në liri të plotë. Presim nga mazhoranca të reflektojë. Kjo çështje duhet trajtuar në këshillin politik, me konsensus e transparencë dhe të mos cenojë marrëveshjen e 5 qershorit”.

Gjiknuri: Hapja e listave 100% ka sfida të mëdha

Në dalje nga mbledhja e këshillit, përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, pranoi se kjo zgjidhje ka probleme. “Kanë humbur kohë sepse kanë 1 muaj që refuzojnë diçka për të cilën ranë dakord. Hapja e listave ka sfida të mëdha, prandaj duhet kujdes për mënyrën se si formohen koalicionet. Le të gjejnë modele perëndimore që kanë lista të hapura dhe koalicione të tilla zgjedhore. Problemi është varet si e shikon. Risia më e madhe e ndryshimeve kushtetuese është hapja e listave. Edhe unë kam pasur skepticizmin tim, por në fund triumfon vullneti i shumicës”, tha Gjiknuri.

Ai shtoi se është e rëndësishme që ndryshimet kushtetuese të miratohen në seancën e 30 korrikut ndërsa detajet do të dakordësohen mes palëve pas kësaj date, përmes kodit zgjedhor.