Sport Cili është problemi i Eriksen tek Inter? Lukaku ka përgjigjen: Nuk di...

Cili është problemi i Eriksen tek Inter? Lukaku ka përgjigjen: Nuk di italisht

Udhëhoqi Belgjikën e tij drejt “Final Four” të Ligës së Kombeve dhe tani Romelu Lukaku është gati të rikthehet tek Interi, pas shqetësimit muskulor që e bëri të humbiste ndeshjen e kampionatit kundër Parmës dhe sfidën e Championsit kundër Real Madridit (u aktivizua për pak kohë në sfidën ndaj Atalantës).

Tashmë në rolin e liderit te skuadra zilatër, sulmuesi belg ndërhyn për të mbrojtur shokun e tij të skuadrës, Christian Eriksen, i cili po shkëlqen me përfaqësuesen daneze, por është në kërkim të minutave në skuadrën që drejtohet nga Antonio Conte.

“Ai i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë kampion dhe unë dua ta ndihmoj – tha Lukaku në televizionin danez “Kanal 5” – Disa lojtarëve u duhet më shumë kohë për t’u përshtatur në futbollin italian, unë isha me fat që u mësova shpejt. Nëse ai mëson italisht, për të do të jetë gjithçka më të lehtë”.

Kjo është këshilla e “Big Rom” për Eriksenin, i cili tek Inter nuk gjen hapësirën që do të dëshironte, ndërsa me fanellën e Danimarkës po argëtohet dhe buzëqesh.

“Eriksen do të jetë në gjendje të komunikojë më mirë dhe të japë një kontribut më të madh në ekip”, shtoi “Big Rom”.

Në fund, Lukaku përqendrohet tek pengesa e radhës në Serinë A.

“Për mua tani ndeshja më e rëndësishme është ajo e së dielës kundër Torinos. Jam i lumtur për  arritjen në “Final Four” në Ligën e Kombevem por më parë do të vijnë kualifikueset e Kupën e Botës dhe më pas finalet e Europianit. Duhet t’i bëjmë hapat një e nga një”.