Bota Conte paralajmëron BE: Koronavirusi mund të sjellë fundin e ëndrrës europiane

Conte paralajmëron BE: Koronavirusi mund të sjellë fundin e ëndrrës europiane

“Nëse BE nuk do të ofrojë instrumenta financiare në lartësinë e sfidës, Italia do të jetë e detyruar të përballojë emergjencën dhe planin e rihapjes me burimet e veta”, kështu deklaroi kryeministri Italian, Giuseppe Conte gjatë një intervistë për gjermanen “Bild”.

“Nuk duhet të humbasim konkurrueshmërinë. Nuk duhet të jemi pas Kinës dhe SHBA që për momentin kanë vendosur 13% të GDP-së së tyre për përballimin e kësaj emergjence”, nënvizoi kryeministri. “Në Gjermani mund të keni të gjithë hapësirën fiskale që iu duhet, por nuk mund të mendoni asnjëherë për të përballuar një emergjencë shëndetësore, ekonomike dhe sociale, me një impakt kaq shkatërrimtar vetëm me hapësirën tuaj fiskale”, shtoi ai.

“Është në interesin reciprok të Europës që të japë një goditje të tillë që të jetë në lartësinë e sfidës, në të kundër duhet të braktisim ëndrrën europiane dhe të themi se secili në hesap të vet, por duhet të aplikojmë trefishin, katërfishin e burimeve për të dalë nga kjo krizë dhe nuk do të kemi garancinë që do të dalim në mënyrën me të mirë të mundshme. Europa duhet të përgjigjet pa hezitime, në të kundërt qytetarët tanë do të mbeten të zhgënjyer”, përfundoi kryeministri italian Conte.