Kryesore COVID-19, pse Portugalia nuk u godit aq keq sa Spanja fqinje?  

COVID-19, pse Portugalia nuk u godit aq keq sa Spanja fqinje?  

Më shumë kohë për parapërgatitje, si dhe populli që iu bind masave, këto janë dy nga arsyet që e ndihmuan Portugalinë t’i bëjë ballë përhapjes së koronavirusit.

Portugalia ka një ritëm më të ulët infeksionesh, në krahasim me Spanjën fqinje, e cila është vendi më i prekur në botë.

Mjeku i mushkërive, Filipe Froes, tha për “Good Morning Europe” në Euronews, se Portugalia përfitoi nga fakti që përhapja e virusit ndodhi më vonë se në Madrid.

Kjo i dha kohë vendit që të përgatisë spitalet dhe të shtojë kapacitetin e njësive të terapisë intensive.

“Ishim tri javë pas Italisë dhe ndoshta një javë e gjysmë pas Spanjës. Kjo na dha disa ditë të çmuara për t’u përgatitur. Një tjetër ndryshim është dhe angazhimi më në kohë i mjekëve”, tha ai.

Portugalia e shpalli gjendjen e emergjencës më 18 mars, dy ditë pasi u raportua vdekja e parë nga COVID-19.

Sot, më 14 prill 2020, në Portugali janë regjistruar 535 të vdekur, ose 52 persona për 1 milion banorë.

Në Spanjë kanë vdekur më shumë se 18 mijë persona për shkak të sëmundjes, ose 385 për çdo 1 milion banorë.

Graça Freitas, Drejtoresha e Institutit të Shëndetësisë në Portugali, tha se 88% e të infektuarve janë duke u trajtuar në shtëpi dhe nuk kanë nevojë për shtrim.

“Spitalet nuk janë të tejmbushur dhe kështu kemi më shumë kohë për t’u kujdesur për rastet kritike”, tha ajo, duke shtuar se Portugalia nuk e ka arritur ende kulmin e epidemisë.

Doktori Froes gjithashtu beson se fakti që popullata u bind, ka qenë një element kyç në arritjen e këtij niveli të ulët infeksioni.

“Janë mbyllur shkollat dhe veprimtaritë tregtare. Shumica e njerëzve i ndjekin rregullat dhe ne vëmë në zbatim rekomandimet e qeverisë”, tha ai për Euronews.

Ministri i brendshëm portugez, Eduardo Cabrita, tha se banorët e vendit shfaqën një frymë të pashoqe qytetarie, duke zbatuar rregullat edhe gjatë fundjavës së pashkëve.