Bota DASH: Nuk mund të barazohet vrasja e policit të Kosovës me atë...

DASH: Nuk mund të barazohet vrasja e policit të Kosovës me atë të sulmuesve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë përpjekjet e Serbisë që të barazohet vrasja e rreshterit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller, në pyetjen lidhur me atë se si SHBA-ja i cilëson personat që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller.