Sport De Ligt-Juventus, përvjetori i parë i një “martese” të suksesshme

De Ligt-Juventus, përvjetori i parë i një “martese” të suksesshme

Juventusi buzëqesh, është krejt në rregull, teksa shijon potencialin e Matthijs De Ligt. Mbrojtësi më i paguar në historinë e “Zonjës së Vjetër” dhe të Serie A, një investim prej 75 milionë eurosh, plus 10.5 milionë bonuse, pati një fillim të vështirë në Itali, por më pas e mori veten dhe tashmë është shtyllë e prapavijës së kampionëve në fuqi. Shifra e shpenzuar duket monstruoze financiarisht, por jo dhe aq kur merr parasysh moshën dhe potencialin e qendërmbrojtësit holandez.

Juventusi vendosi të përfitojë nga një mundësi e shtrenjtë, por e rëndësishme, veçanërisht në drejtim të rinovimit të mbrojtjes. De Ligt jep garanci për momentin dhe në planin afatgjatë. Pasi mësoi zakonet e kampionatit italian, me një seri gabimesh “hendbolli”, djaloshi nga Leiderdorp filloi rrugën e rritjes bombastike. E gjitha kjo, dhe nuk është aspekt për t’u nënvlerësuar, duke jetuar me një problem në shpatullën e djathtë, që iu bë kronike dhe mund ta dërgojë drejt ndërhyrjes kirurgjikale. Javë pas jave, “4” ka vazhduar të luajë duke shtrënguar dhëmbët.

Ai është bërë shtylla e fortë e prapavijës bardhezi, në mungesë të Chiellini. Po ashtu, i ka hyrë në zemër trajnerit Sarri, sepse e interpreton futbollin siç do ai. “Italia është e famshme për traditën e saj mbrojtëse dhe nëse flasim për futbollistët italianë, mendja të shkon te mbrojtësit. Drejtuesit e Juventusit treguan se më donin aq shumë, besonin tek unë, ndaj ndihem krenar që jam pjesë e kësaj skuadre. Janë shumë arsye pse zgjodha këtë skuadër, por para së gjithash ndjesitë që ndjeva”, – ka thënë hollandezi.

De Ligt me shumë dëshirë dëshironte të transferohej te bardhezinjtë, aq shumë sa refuzoi propozimin e Barcelonës. Një zgjedhje me peshë, siç pranohet sinqerisht nga pala e interesuar, produkt i një evolucioni gradual, por prestigjioz. Dhe, nga ana tjetër, “martesa” u materializua në emër të harmonisë maksimale mes palëve. Për më tepër, dëmtimet e Chiellini dhe Demiral lejuan që hollandezi të gjente një nivel të lartë vazhdimësie të performancës, duke u përsosur nga ndeshja në ndeshje. Partneriteti me Bonucci tani është mëse i kolauduar. Megjithatë, ka ende hapësira të bollshme për përmirësim; diçka e pashmangshme po të marrim parasysh se është vetëm 20 vjeç.

Një shembull i qartë i profesionalizmit, brenda dhe jashtë drejtkëndëshit të lojës, De Ligt ia doli ta pushtojë për një vit botën bardhezi. Klubi, shokët e skuadrës, trajnerët dhe tifozët janë plotësisht të çmendur për të. Për më tepër, ecuria vjetore mbetet: 35 ndeshje dhe 3 gola. Një performancë e lojtarit më të mirë, e destinuar të bëhet më e çmuar. De Ligt garanton cilësinë, të tashmen dhe të ardhmen e mbrojtjes së Juventusit.