Aktualitet Denoncimi i Princ Lekës, Prokuroria e Tiranës nis hetimet për “dhunë në...

Denoncimi i Princ Lekës, Prokuroria e Tiranës nis hetimet për “dhunë në familje”

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas denoncimit të dorëzuar nga Princi Leka II për dhunë në familje.

Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, Prokuroria bën me dije se ka nisur verifikimet për publikimin e videos dhe sipas saj rezulton që ajo është publikuar në media para se të dërgohej në Prokurori.

Ndaj është ngarkuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të hetuar se nga kush doli videoja.

“Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal.

Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës. Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale. Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.

Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjensia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse”, njoftoi Prokuroria.

Kriza në çiftin mbretëror shqiptare është thelluar edhe më shumë. Përpos divorcit, Princ Leka dhe Elia Zaharia pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri pasditen e djeshme. Leka ka shkuar në komisariat ku ka bërë denoncimin dhe ka kërkuar urdhër mbrojtje. Në Komisariat ka qenë edhe babai i Elia Zaharias, Gjergj Zaharia i cili ka denoncuar po ashtu Princin për dhunë. Dyshes i është bërë akt ekspertimi mjekoligjor, ku janë konfirmuar shenja dhune në trupin e Eilas. Si Princi, ashtu dhe Elia, i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje.

Ndërkohë është publikuar në rrjet sherri mes Princ Lekës dhe Elia Zaharisë që ka degraduar në dhunë fizike. Princ Leka dhe ish-partnerja e tij aktorja Elia Zaharia, i dhanë fund martesës së tyre 7-vjeçare dhe rreth një dekade historie dashurie, nga e cila erdhi në jetë Princesha Geraldina II.