Bota Dikur vendi me i sigurtë në botë, aktualisht Suedia përballet me bandat

Dikur vendi me i sigurtë në botë, aktualisht Suedia përballet me bandat

Dikur i shpallur vendi më i sigurtë në botë, tashmë Suedia po përballet gjithnjë e më shumë me dhunën dhe bandat e krimit. Danimarka ka vendosur përkohësisht kontrollet në kufi me Suedinë me bindjen se autorët e atentateve me bomba në Kopenhagen, vijnë nga jashtë vendit.

Një adoleshent 15 vjeçar mbeti i vrarë dhe një bashkëmoshatar i tij është në gjendje kritike për jetën në spitalin e Malmos, pas të shtënave me armë zjarri përballë një picerie në qytetin suedez. Sipas policisë bëhet fjalë për një përplasje mes bandash rivale për kontrollin e territorit të shpërndarjes së drogës. Për këtë arsye janë paralajmëruar masa të jashtëzakonshme sigurie. Një seri e gjatë shkëmbimesh zjarri dhe bombash, që vë në pikëpyetje famën e vendit më të sigurtë në botë. Dhuna e bandave në zona të ndryshme të  Suedisë ka regjistruar në vitet e fundit një numër gjithnjë e më të lartë viktimash. Gjatë këtij viti kanë qenë 187 bomba të shpërthyera, ndërsa deri në gusht ishin 26 personat e vrarë me armë zjarri.

Danimarka ka vendosur përkohësisht kontrollet në kufi me Suedinë me bindjen se autorët e atentateve me bomba në Kopenhagen, vijnë nga jashtë vendit. Deri tani kanë qenë 13 atentatet e tilla. Dy shtetas suedezë janë në burg për bombën e hedhur kundër një institucioni shtetëror në 6 gusht të këtij viti.