Sport Don Carlo gjithnjë e më shumë në histori: Askush më shumë se...

Don Carlo gjithnjë e më shumë në histori: Askush më shumë se ai nuk ka fituar në Champions, kalon Ferguson

Real Madrid ka fituar me goleadë 5-1 ndaj Celtic, ndeshjen e fundit të grupit F të Champions League.

Tre penallti në pjesën e parë, dy prej të cilave të shndërruara në gol nga Modric e Rodrygo, dhe një tjetër e pritur nga Courtois, vendosën fatin e ndeshjes.

Në pjesën e dytë, ekipi i drejtuar nga Carlo Ancelotti dominoi, duke shënuar dhe 3 gola të tjerë me anë të Asensio, Vinicius dhe Valverde. Në minutën e 84, Jota shënoi golin e nderit për ekipin skocez.

Me fitoren e arritur mbrëmjen e sotme, Carlo Ancelotti ka kaluar Sir Alex Ferguson në krye të klasifikimit të trajnerëve më fitues të historisë së Champions.

Me këtë fitore, Real e mbyll grupin në vendin e parë, me 13 pikë, një më shumë sesa Leipzig, që fitoi 4-0 ndaj Shakhtar. Ukrainasit do të vijojnë aventurën në Europa League, ndërsa Celtic eliminohet nga kompeticionet evropiane.

Jo vetëm Ancelotti, edhe Luka Modric ka thyer një rekord të veçantë sonte.

Në moshën 37-vjeçare e 54 ditë, Luka Modric është bërë futbollisti më i vjetër që ka shënuar gol me 11-metërsh në Champions League.

Mesfushori i Real Madrid realizoi nga pika e bardhë ndaj skocezëve të Celtic, në ndeshjen që madrilenët e fituan me rezultatin e thellë 5-1.

Rekordi mbahej nga turku Burak Yilmaz, i cili shënoi me penallti ndaj Chelsea kur luante me Lille, në mars të vitit 2022, kur ishte 36 vjeç e 244 ditë.