Kryesore “Dy persona janë të larguar përfundimisht nga PD”, Berisha: Një prej tyre...

“Dy persona janë të larguar përfundimisht nga PD”, Berisha: Një prej tyre mori 220 mijë euro nga Rama

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi në deklaratën e radhës për shtyp edhe për dorëheqjen e Enkelejd Alibeajt dhe mundësinë për të nisur diskutimet me palën tjetër për bashkim të PD-së.

Berisha u shpreh se Basha dhe Alibeaj janë të larguar përfundimisht nga Partia Demokratike, teksa akuzoi këtë të fundit se mori një shpërblim 220 mijë euro nga Rama për shërbimin e bërë në zgjedhje.

Pyetje: Rezultatet treguan që përçarja e PD ka ndikuar shumë në zgjedhje, Alibeaj u dorëhoq. Tabaku dha një lloj drite jeshile për bisedime me grupin tuaj. A keni nisur negociata?

Sali Berisha: Qëndrimi dhe deklarata ime është kjo, dy persona janë të larguar në mënyrë përfundimtare nga PD. Njëri është Lul Brava, tjetri është Alibasha i cili mori vetëm sot shpërblim nga Edi Rama 220 mijë Euro. PD-ja është e hapur për të gjithë të tjerët, për debat, për negociata, për çfarë të dëshirojnë. Ky është qëndrimi ynë, por dy personat, pengje të Edi Ramës, u përdorën në mënyrë më të pamëshirë nga ai për të goditur opozitën shqiptare. Sa i përket rezultatit ju bëj thirrje t’i lexoni rezultatet me realizëm. Partisë Demokratike iu mohua logoja, Partisë Demokratike iu mohua kryetari i koalicionit. Ata të dy (Basha dhe Alibeaj) janë vetëlarguar nga PD me aktet që kanë bërë.

Sipas Berishës, Rama përdori metoda alla-Putin për të fituar zgjedhjet.

“Çfarë fitore është ajo? Ajo është tmerr-fitore”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, 180 mijë persona nuk votuan për shkak të listave.

“PD siç theksova më parë e zotuar të mbrojë votën e shqiptarëve e konstatoi, e denoncoi dhe e dërgoi tek SKAP-i i Partisë. SKAP-i i partisë vetëkuptohet që e përcolli siç mori urdhër, por ditën e votimit nuk votuan për shkak të listave 180 mijë qytetarë shqiptarë. Siç e shihni këto zgjedhje janë zgjedhje në të cilat u morën që të gjitha masat nga kërcënimi me revolen në ballë, tek pushkatimi”, u shpreh Berisha.