Aktualitet Dy rusët dhe ukrainasi akuzohen zyrtarisht për spiunazh

Dy rusët dhe ukrainasi akuzohen zyrtarisht për spiunazh

Policia e Elbasanit ka njoftuar se dy rusët dhe ukrainasi që dje kanë tentuar të futen në depon e armatimit në Gramsh duke plagosur dhe dy ushtarë janë arrestuar për spiunazh.

Akuzat që rëndojnë mbi ta janë “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të rrethimit të Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ju bëjmë me dije se: Nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: –Mikhail Zorin, 24 vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe, të dy shtetas rus dhe Fiodor Mihailoviç, 25 vjeç, shtetas ukrainas, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim“, thuhet në një njoftim për mediat.

Svetlana Timofeeva

Në cilësinë e provës materiale, policia thotë se janë sekuestruar automjeti me të cilin lëviznin këta shtetas, pajisje kompjuterike laptop, dronë, aparate celulare dhe sende të tjera të cilat do të ekzaminohen, rezultatet e të cilave do të jenë pjesë e hetimit.

Para hetuesve tre të arrestuarit kanë mohuar se po kryenin aktivitet spiunazhi duke u deklaruar si fotografë eksplorues në kërkim të vendeve historike dhe ushtarake. Deklarimet e dhëna mbështeten edhe nga aktiviteti i postuar në rrjetet e tyre sociale.

Megjithatë, për hetuesit që dyshojnë se ata janë pjesë e agjenturave të huaja pretendimet e tyre nuk janë të besueshëm, kjo për shkak të agresivitetit të treguar në përplasjen me ushtarët dhe mosbindjes së urdhrit të dhënë nga ata.