Aktualitet Dyshohet për masakrën e trefishtë në Fushë Krujë, arrestohet Fatjon Murati, ishte...

Dyshohet për masakrën e trefishtë në Fushë Krujë, arrestohet Fatjon Murati, ishte në makinë me Indrit Doklen

Policia ka dhënë detaje në lidhje operacionin “blic” të zhvilluar në Tiranë për kapjen e personave në kërkim, ku në polici u shoqërua dhe ish-anëtari i bandës së Durrësit Endrit Dokle.

Në kuadër të këtij operacioni policia arrestoi dhe të shpallurin në kërkim Fatjon Murati 32 vjeç, i cili së bashku me Doklen dhe Gentjan Reçi, po lëviznin me makinë të blinduar.

Murati, ishte shpallur në kërkim pasi, ka rezultuar se është bashkëpunëtor (posedues i armëve) me shtetasin Kristjan Gjini, i cili është arrestuar në kuadër të operacionit “Ruger”, të zhvilluar me datë 12.07.2022.

Kush është Fatjon Murati?

Fatjon Murati dyshohet se ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, ku tre persona mbetën të vrarë, për shkak të dyshimeve se ka qenë një nga organizatorët e atentatit.

Nuk dihet nëse shpallja në kërkim ka lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen e Fushë-Krujës. Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje atentatin dhe më pas është lënë i lirë.

Sipas dëshmisë të penduarit Nuredin Dumanit, Ervis Martinaj kishte paguar një shumë rreth 500 mijë euro për të ekzekutuar pikërisht Doklen.

Në masakrën e Fushë-Krujës mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Diklen Vata e Besmir Hoxha, të cilët u qëlluan me rreth 60 plumba kallashnikovi në makinën Volkswagen Passat, me të cilën po lëviznin drejt Laçit. Nga breshëria e plumbave makina mori flakë dhe për pasojë prej tyre u shkrumbuan. Vetëm Vata mundi të dalë nga makina, por agresorët u rikthyen sërish dhe u siguruan të vdiste. Viktimat ishin me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, pjesëtarë te grupit kriminal të Ervis Martinajt.

Deklarata e Policisë

Në kuadër të kontrolleve “blic” për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në infomacionet e marra në rrugë operative për një shtetas në kërkim që qarkullonte me automjet, nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është organizuar puna dhe është kapur shtetasi në kërkim F. M., 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqërohej bashkë me dy shtetas të tjerë, E. D., 39 vjeç, dhe G. R., 39 vjeç.

Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit F. M., i cili ishte shpallur në kërkim pasi në bazë të një procedimi penal të këtij viti, ka rezultuar se është bashkëpunëtor (posedues i armëve) me shtetasin K. Gj., i cili është arrestuar në kuadër të operacionit “Ruger”, të zhvilluar me datë 12.07.2022.

Ndërsa për shtetasit E. D., dhe G. R., të cilët udhëtonin me 32-vjeçarin, po vijojnë veprimet hetimore.