Aktualitet E përplasi me makinë dhe më pas e qëlloi me armë gjahu,...

E përplasi me makinë dhe më pas e qëlloi me armë gjahu, zbardhet plagosja e 72-vjeçarit në Shkodër

Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur të shtunën në mëngjes në fshatin Hot i Ri, në Shkodër, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 72-vjeçar.

Njoftimi i policisë

Në vijim të veprime të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Ferdirik Kola, 31 vjeç, lindur në Shllak dhe banues në fshatin Hot i Ri, Njësia Administrative Rrethina, Bashkia Shkodër.

Ky shtetas dyshohet se mëngjesin e sotëm, në fshatin Hot i Ri, ka përplasur me automjet shtetasin Zef Pjetri 72 vjeç dhe më pas e ka plagosur me armë gjahu çifte.

Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti pronësie, për një burim uji në fshatin Shllak.

Në momentin e arrestimit, shërbimet e Policisë, kanë gjetur dhe sekuestruar dhe armën e gjahut të cilën e kishte me leje dhe dyshohet se me të ka kryer plagosjen e 72-vjeçarit.