Kryesore Enkelejd Alibeaj u tërhoq nga ankimi për bashkimin e 2 statuteve, Gjykata...

Enkelejd Alibeaj u tërhoq nga ankimi për bashkimin e 2 statuteve, Gjykata e Apelit pranon kërkesën

Avokati i Partisë Demokratike, Indrit Sefa, ka njoftuar se kjo forcë politike do të tërheqë padinë në gjykatë për bashkimin e dy kuvendeve të kryera nga Basha dhe regjistrimin e vendimeve të tyre. Ky vendim sipas Sefës do t’i hapë rrugë gjykimit në themel të çështjes se kujt i takon PD-ja.

Përmes avokatit Sefa, PD-ja kërkon në Apel tërheqjen nga ankimi i bërë kundër vendimit të Shkallës së Parë për të mos regjistruar në një vendim të vetëm ndryshimet statutore të kuvendit të korrikut dhe të dhjetorit.

“Dua t’ju njoftojë se PD ka hequr dorë nga ankimi i paraqitur për njohjen e pasqyrimit të ndryshimit e statutit të 17 korrikut dhe 18 dhjetorit, për faktin e vetëm se ky proces është i një natyre proceduriale dhe nuk duam t’i japim argumente Gjykatës së Apelit për të shqyrtuar në themel çështjen kryesore për takimin për vendimmarrjen e gjyqtarit Xhukri. Ankimi është bërë që në mars, dhe nuk ka lidhje me ankimin e zotit Xhukri.

Ky është një hap i mirë që Gjykata e Apelit të gjykojë në themel të gjitha pretendimet tona, besojmë se do t’i heqë argumente Apelit dhe të marrë vendim në kohë sa më të shkurtër, para zgjedhjeve të 14 majit. Ne pretendojnë se të gjitha çështjet e paraqitura qëndrojnë dhe mund të bëhen pengesë për aktivitetin e PD, por tërheqja nga ankimi mund t’i shërbejë zgjidhjes së ngërçit juridik ku ndodhet PD. Për sa më lart i bëjmë thirrje gjykatës se tashmë nuk ka asnjë lloj pengese të shqyrtojë çështjen Zhukri”, ishin fjalët e avokatit Sefa.

Si pasojë e tërheqjes, Gjykata e Apelit vendosi pak minuta më vonë të pushojë gjykimin e ankimit.