Kryesore Fitorja e Shqipërisë përballë Polonisë, Rama fton në podcast Sylvinhon: Lojtarët tanë...

Fitorja e Shqipërisë përballë Polonisë, Rama fton në podcast Sylvinhon: Lojtarët tanë dhanë zemrën në fushë

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka nisur sezonin e dytë të podcasteve me treshen e kampionëve, që nën udhëheqjen e trajnerit Sylvinho e kanë ngritur Kombëtaren Kuqezi në një nivel të ri. Rama ka zhvilluar bashkëbisedim me Trainerin Sylvio Mendes Campos Júnior, si edhe dy zëvendës-trajnerët, Pablo Javier Zabaleta Girod dhe Dorival Guidoni Junior rreth 24 orë pas fitores së Shqipërisë përballë Polonisë.

Kryeministri Edi Rama: Është episodi i parë i podkastit FLASIM, sezoni i dytë, i cili hapet menjëherë pas një hapjeje fantastike të vitit të punës pas pushimeve le të themi, me kuqezinjtë që na dhuruan një fitore spektakolare me Poloninë. Kam këtu ata, të cilët janë në kabinën e regjisë së skuadrës kuqezi, trainerin Silvinjo me dy ndihmësit e tij Zabaleta dhe Doriva, të cilët i falenderoj paraprakisht për ardhjen këtu dhe ndërkohë besoj që edhe pse kur ju të shihni këtë bisedë do kenë kaluar disa ditë, emocionet janë mjaftueshëm të forta për të qenë ende në atmosferën e kësaj fitoreje. “Si ndiheni thuajse 24 orë pas kësaj fitoreje të madhe.

Silvinjo: Faleminderit për ftesën, Edi. Jemi ende pak të lodhur, apo jo çuna, por të lumtur. Dje pamë një stadium të mahnitshëm. Pastaj, lojtarët tanë janë protagonistët e vërtetë, që dhanë shpirtin dhe zemrën në fushë. Kjo është ajo që duam. Jemi të kënaqur deri këtu. Dita e djeshme… e paharrueshme, shumë e bukur.

Doriva: Jam i kënaqur. Kemi ende shumë për të bërë. Mbeten ende tri ndeshje, por jam mjaft i kënaqur. E shihje lumturinë në sytë e njerëzve dhe kjo diçka shumë e bukur për t’u parë. Të gjithë njerëzit, stadiumi plot, ishte shumë bukur. Një moment që, siç e tha Silvio, ishte i paharrueshëm.

Zabaleta: Jam dakord me Silvinjon dhe Dorivan. Mendoj se lojtarët e bënë këtë vend të ndihet krenar që është shqiptar. Kështu duam që lojtarët ta përfaqësojnë këtë vend, me energji, me pasion. Ajo çfarë tregojnë në fushë është ajo që njerëzit duhet të njohin e të ndjejnë, atë identitet atë ADN që duam të krijojmë me këtë skuadër

Kryeministri Edi Rama: Zërat që qarkullojnë për ju janë se Silvinjo është ai që sigurohet që gjërat të jenë në vendin e tyre me krahun e tij të armatosur dhe me krahun paqësor. Është e vërtetë? Thonë që ti je krahu i armatosur e ti krahu paqësor.

Silvinjo: Duket kollaj, nuk është e vështirë, po ai është i zoti.

Kryeministri Edi Rama: Jo, po është mrekulli njëherë që brazilianë e argjentinas bëhen bashkë, për të bërë diçka konstruktive.

Zabaleta: Kjo është e para. Për mua, të punosh me dy brazilianë, është e pabesueshme, në kuptimin e mirë të fjalës. Silvion e njihja, se kishim luajtur bashkë, po nuk njihja shumë Dorivan. E kisha parë vetëm të luante, por më duhet të them që jo vetëm janë dy trajnerë të mëdhenj, po edhe njerëz të mëdhenj dhe kjo është më e rëndësishmja. Ne jemi si një ekip.

Kryeministri Edi Rama: Si është të punosh me një argjentinas?

Silvinjo: Edhe për ne është e vështirë, nuk është aspak e lehtë të punosh me Pablon. Jo, ai është i zoti. Pablon e kemi njohur… unë e kam njohur në vitin 2009 te Mançesteri. Aty zuri fill një miqësi e rëndësishme, siç tha edhe ai. Ai është një njeri i jashtëzakonshëm. Nuk është e lehtë për njerëzit që të kuptojnë si janë bashkë një argjentinas, një brazilian, por ka shumë kimi mes nesh.

Kryeministri Edi Rama: Më kujtohet që kur erdhët përpara firmosjes së kontratës, ai tha: “Po, është e çuditshme për mua që jam argjentinas të punoj me një brazilian, por me Silvion shkoj deri në fund të botës.

Zabaleta: Mendoj se me Silvion ndodh pak a shumë kështu. Sigurisht, ne punojmë bashkë dhe jemi këtu ta ndihmojmë në marrjen e vendimeve, të sigurohemi që gjërat janë në vendin e duhur. Siç e thatë më parë, ai është mjaft i organizuar. E dimë këtë dhe ndaj jemi këtu ta ndihmojmë. Sidoqoftë, kemi një marrëdhënie që i ngjan asaj që është në futboll. Ti luan me shumë lojtarë. Me disa prej tyre ke vetëm kontakt, me disa ndoshta nuk flet për një kohë të gjatë, por me të tjerë ti afrohesh shumë, bëhesh si një shok i ngushtë. Kur luanim bashkë, ai ishte pak më i madh se unë

Kryeministri Edi Rama: Ai është më i madh se ti

Zabaleta: Ai është më i madh se unë, edhe pse unë tregoj i madh.

Silvinjo: Nuk është e vërtetë.

Zabaleta: Isha 23 vjeç dhe ai ishte model për mua. Ishte një njeri prej të cilit doja të mësoja, i cili vinte nga Barcelona, me gjithë përvojën e tij. Ka fituar absolutisht gjithçka si lojtar… me Arsenalin. Unë isha 23 vjeç dhe ai, për mua, ishte një nga lojtarët për cilin mund të thoshe “shiko, është gjithnjë i pari që vjen në stërvitje dhe i fundit që ikën në shtëpi”. Ishte gjithmonë në palestër, e gjeje gjithnjë në fushë duke folur me lojtarët e rinj dhe kjo është diçka që, kur je i ri, duhet ta vlerësosh te futbollistët më me përvojë. Ja pse gjithë kohës hanim mëngjes përherë bashkë, shkëmbenim ide. Unë e pyesja për Barcelonën, edhe pse kisha luajtur kundër tij kur isha tek Espanyol Barcelona, në Katalonjë, ndaj u afruam shumë me njëri-tjetrin dhe kjo është arsyeja që, kur më kërkoi të bëhesha pjesë e stafit të tij trajnues, për mua ishte një vendim i lehtë.

Kryeministri Edi Rama: Po për ty? Si ishte ky 23-vjeçar në fushë kur erdhi aty?

Silvinjo: Ai thotë që ishte 23 vjeç, po dukej sikur ishte 28 a 29. Paolo ishte rritur paksa në mënyrë të parakohshme, siç thuhet. Kishte zakonet e një njeriu mjaft serioz. Vërtet, ishte 23 vjeç, por mëngjesin e hanim bashkë në orën 8.30. Kishte ditë që shkonim edhe përpara Mançinit dhe stafit të tij dhe ishim vetëm ne të dy që hanim mëngjes. Ka qenë e lehtë të afrohesh me të. Kemi folur shumë, kemi bërë shumë biseda, aty, në fushë, krijuam një marrëdhënie të mirë.

Kryeministri Edi Rama: Përveç Dorivas, për të cilin jam i sigurt e njihte Shqipërinë edhe më parë, sepse ai ka luajtur në Itali, Italia dhe Shqipëria janë afër, duhet të më thoni të vërtetën, kur keni dëgjuar për Shqipërinë për herë të parë?

Silvinjo: Unë në vitin 2014, nga Manaj. E kam stërvitur tek Inter Milano. Isha me Roberto Mançinin. Aty e kam njohur. Ishte shumë i ri, 18 vjeç më duket.

Kryeministri Edi Rama: Pra, hera e parë që Shqipëria hyri në konceptin tënd për botën.

Silvinjo: Po

Kryeministri Edi Rama: Po për ty?

Zabaleta: Për mua, në fakt, ishte Keidi Bare, një nga lojtarët tanë, kur shkoi tek Espanyoli, sepse unë jetoj në Barcelonë, luaja për Barcelonën, familja ime kishte abonim sezonal biletash dhe mendoj se Keidi, kur e sheh në fushë, është një njeri që përfaqëson pasionin e shqiptarëve në fushë. Kështu, kjo ishte hera e parë që u prezantova pak me Shqipërinë.