Një nga mbrojtësit e fundit ukrainas në Mariupol, ka sjellë për mediat perëndimore dëshmitë nga brenda rezistencës në Mariupol, nga tunelet e fabrikës së çelikut ku qindra ushtarë janë ngujuar, kjo edhe për shkak të shkatërrimit të hyrjeve të tjera nga bombardimet e pashembullta të ushtrisë ruse.
Duke folur nga uzina Azovstal, pjesa e fundit e Mariupolit jo nën kontrollin rus, Svyatoslav Palamar nga regjimenti Azov, tregon sesi mbrojtësit kishin zmbrapsur valët e njëpasnjëshme të sulmeve ruse.
“Unë gjithmonë them se për sa kohë jemi këtu, Mariupol mbetet nën kontrollin e Ukrainës”, tha ai.
Pjesa më e madhe e Mariupolit është shkatërruar gjatë javëve të bombardimeve të rënda ruse dhe luftimeve intensive në rrugë. Marrja e portit të Detit Azov është një qëllim kyç i luftës.
Kapiteni Palamar shprehet se rusët kishin qëlluar mbi fabrikën e çelikut nga anijet luftarake dhe hodhën dhjetëra bomba për të shkatërruar bunkerin.
“Të gjitha ndërtesat në territorin e Azovstal janë pothuajse të shkatërruara. Ata hedhin bomba të rënda, bomba që shkatërrojnë bunkerët, të cilat shkaktojnë shkatërrime të mëdha. Ne kemi të plagosur dhe të vdekur brenda bunkerëve. Disa civilë mbeten të bllokuar nën ndërtesat e shembura”, shprehet kapiteni Palamar.
Regjimenti Azov ishte fillimisht një grup neonazist i ekstremit të djathtë, i cili më vonë u përfshi në Gardën Kombëtare të Ukrainës. Luftëtarët e saj së bashku me një brigadë marine, roje kufitare dhe oficerë policie janë mbrojtësit e fundit ukrainas të mbetur në qytet.
Kur u pyetën se sa mbrojtës ukrainas mbetën në Mariupol, kapiteni Palamar u përgjigj thjesht “mjaftueshëm për të zmbrapsur sulmet”.