Kryesore Frikë nga reforma në drejtësi? Ilir Meta: Nuk jam në kategorinë e...

Frikë nga reforma në drejtësi? Ilir Meta: Nuk jam në kategorinë e frikacakëve

Në një intervistë për gazetën MAPO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka thënë ndër të tjera se zgjidhja e krizës politike është pika e referimit për zgjidhjen e krizës në vend dhe integrimin në Bashkimin Europian.

Sipas tij ajo është platforma më e mirë për daljen e vendit nga kriza dhe arritjen e reformave për një anëtarësim sa më të shpejtë të vendit në BE. Meta është pyetur edhe nëse ka frikë apo jo nga reforma në drejtësi sikundër qarkullon prej kohësh kjo tezë nga mazhoranca.

Përgjigjja e tij është kjo: “Kjo është një nga tezat më bajate e sponsorizuar majmërisht nga ata që duan qëllimisht dështimin e Reformës në Drejtësi dhe kapjen e të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë.

Është e qartë nga të gjithë se pa përpjekjet e mia, Reforma në Drejtësi e 21-22 korrikut 2016, që u miratua me 140 vota, nuk do ishte arrirë, por do të kishte lindur e dështuar dhe Shqipëria nuk do të kishte marrë as rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave në vjeshtën e vitit 2016, për shkak të konsensusit të ndryshimeve kushtetuese.

Të gjithë e kanë të qartë se kujt i ka interesuar asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Frika u përket frikacakëve. Kjo nuk ka lidhje me Presidentin, pasi të gjithë e dinë se ai nuk i përket kësaj kategorie”.