Sport Gega: Ndaj Skënderbeut nuk është finale. Kontrata ime, shumë gënjeshtra në media

Gega: Ndaj Skënderbeut nuk është finale. Kontrata ime, shumë gënjeshtra në media

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, është shfaqur sot para gazetarëve, për të folur për sfidën delikate në program nesër pasdite në Korçë, kundër Skënderbeut.

Në një konferencë të gjatë, Gega ka folur për gjithçka, nga Skënderbeu dhe gara për titull, deri tek merkatoja dhe kontrata e tij me të kuqtë.

Sfidat me Skënderbeun

“Është e vërtetë që kemi pasur ngërç me Skënderbeun, pavarësisht nga loja. Nuk kemi marrë maksimumin. E njohim kundërshtarin, është ekip i mirë, edhe pse në javët e fundit nuk ka qenë ai që presin. Humbja nuk është sukses, karshi Skënderbeut të dy rezultatet e tjera janë të pranueshme. Pa dashur të tregoj mungesë respekti, e kemi merituar vendin e parë. Nuk e shikoj ndeshjen direkte si matëse, shoh vazhdimësinë. Jam trajner dhe synimi im është fundi i kampionatit. Kemi humbur dy ndeshje me ta, ndeshje që ndoshta nuk do dilnin ashtu. Kemi pasur mangësitë tona dhe shpresoj që t’i korrigjojmë e të bëjmë diçka më tepër nesër. Është një sfidë direkte, por janë 18 ndeshje në total deri në fund. Nëse vjen fitorja, jemi komodë, por edhe nëse nuk ndodh, duhet të dimë të ngrihemi, nuk mbaron e as nuk fillon kampionati në Korçë.”.

Merkatoja

“E mira nuk ka fund. Këta që kanë ardhur i kemi pritur si duhet, si kualitet dhe si profesionistë që janë. Shpresoj që t’i japin ekipin një shtysë më të madhe. Klubi po punon që të sjellë edhe të tjerë, pa hedhur poshtë punën e pjesës tjetër të skuadrës. Kam dëgjuar dhe lexuar shumë gjëra sa i takon dëshirave të mia. Unë nuk kam shprehur ndonjë dëshirë se dua ‘filanin’. Rexhepi dhe Duka kanë qenë dëshirat e mia personale, sepse i njoh të dy. Kemi sjellë edhe të tjerë, shpresoj të mos kemi gabuar”.

Rinovimi i Gegës

“Personalisht jam komod, në shtëpinë time, ndihem në familje. Kam lexuar për shifra marramendëse në lidhje me pagën time, nuk janë të vërteta, as për mua dhe as për lojtarët. Pashë sot që edhe Duka ishte mbuluar me flori, por nuk është e vërtetë. Kontrata? Kontratat nuk tregohen, por nuk janë ato shifra, ju siguroj dhe u qetësoj. Transparencën e bën klubi, unë jam trajner. Mos u shqetësoni, as mos gëzoni më shumë sesa duhet”.

Ngacmimet e Gjicit

“Ka thënë që nuk do na mbajnë gjunjët pas marsit? Nuk më takon të flas, është perceptimi i tij dhe nuk dua të flas për gjunjët e të tjerëve. Ai ka folur për gjunjët tonë, le t’ia lëmë kohës, por besoj se i kemi gjunjët shumë të fortë”.

Sulmuesi që pritet

“Besoj se është plus, janë shumë ndeshje deri në fund. Sulmuesi i ri mund të vijë për 6 muaj apo për shumë kohë, nuk e di ende kush është. Nëse vjen dikush, të shohim. Kemi bisedime me shumë lojtarë, por nuk kemi ende firmë, kështu e ka merkatoja. Ka ofertë, ka edhe kërkesë, unë jap mendimin tim dhe pastaj ka probleme të tjera, merret klubi”.