Sport Gjermania nuk humbiste 6-0 që në 1931-shin, hija e Rangnik mbi Lëv

Gjermania nuk humbiste 6-0 që në 1931-shin, hija e Rangnik mbi Lëv

Gjermanët nuk pësonin një humbje 6-0 që prej 24 majit të vitit 1931, kur turpëroheshin nga Austria. U shpërfytyruan të martën edhe nga Spanja, duke pësuar një disfatë që i ka bërë drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit të reflektojnë. Menjëherë ka nisur të qarkullojë emri i Ralf Rangnik për të pasuar trajnerin Lëv.

Në fakt, nuk është vetëm trajneri në diskutim, por edhe lojtarët. Humbja e thellë i bën gjermanët të ndihen keq edhe për faktin se janë zbuluar limite që realisht nuk janë të papritur. Në 8 ndeshje të luajtura në 2020-ën, Gjermania ka pësuar 16 gola. Para Spanjës, Zvicra dhe Turqia, që nuk janë dy kundërshtarë big, u kishin shënuar nga 3 gola “pancerave”. Në 9 ndeshjet e fundit, vetëm Çekia në miqësore nuk ka shënuar në portën gjermane. Prandaj trajneri Joakim Lëv është i rrezikuar seriozisht dhe Rangnik është kandidat kryesor për të marrë drejtimin e ekipit.

Lëv është në krye të Gjermanisë që prej vitit 2006, ndërsa në periudhën 2004-2006 ka qenë ndihmës i trajnerit Jurgen Klinsman. Pra, për të bëhen 16 vjet në stolin gjerman, është shpallur kampion bote në 2014-ën dhe ka fituar Kupën e Konfederatave në 2017-ën. Por sezonet e fundit rezultatet nuk kanë qenë të mira: në 2018-ën Gjermania u eliminua për herë të parë në histori në fazën e grupeve të një botërori, kurse në 2019-ën mori vetëm 2 pikë nga 12 të mundshme në Ligën e Kombeve, ku ishte në grup me Francën dhe Holandën.

Dhe tani kjo humbje dramatike me Spanjën, që sipas “Bild”, vë në dyshim të ardhmen e Lëv. “Mos është e drejtë të mendohet për alternativa si Rangnik dhe Kuntz? Bierhof para ndeshjes tha se trajneri vlerësohet në bazë të rezultateve”, – shkruan gazeta gjermane. Megjithatë, pas ndeshjes Bierhof, drejtor teknik i kombëtares gjermane, u duk i ekuilibruar. “Besimi te Lëv është total, kjo humbje nuk ndryshon gjë”, – tha ai.

Vetë trajneri Joakim Lëv është mjaft i shqetësuar. Ai u pa mëngjesin e sotëm në ambientin e jashtme të hotelit në Sevilje që në orën 7, duke pirë një kafe dhe duke ecur para e prapa. “Nuk mund të më pyesni mua, nëse duhet të shqetësohem për të ardhmen, – iu përgjigj ai gazetarëve pas ndeshjes. – Duhet t’ua kërkoni të tjerëve”.

Në fillim të kësaj jave, në një intervistë për “Sport 1”, Rangnik pranoi se do të ishte kënaqësi për të që një ditë të drejtonte Gjermaninë: “Besoj se është një detyrë që u intereson të gjithë trajnerëve gjermanë. Për momentin nuk duhet të flasim për këtë temë, sepse kemi trajnerin që në 2014-ën na shpalli kampionë bote”, – u shpreh Rangnik. Gjithsesi, pas 6-0 në Spanjë, gjithçka është në diskutim.