Aktualitet “Golden Bullet”, arrestohet një tjetër i kërkuar pas dëshmisë së Nuredin Dumanit

“Golden Bullet”, arrestohet një tjetër i kërkuar pas dëshmisë së Nuredin Dumanit

Shkon në 19 numri i personave të arrestuar nga operacioni “Golden Bullet” i finalizuar më 19 Maj 2022 pas dëshmisë Nuredin Dumanit, duke goditur 8 grupe kriminale që veprojnë në vendin tonë.

Së fundmi, në Durrës është arrestuar Agim Gjini 49 vjeç, një nga personat e shpallur në kërkim 3 muaj më parë pas operacionit të zhvilluar nga SPAK dhe Policia e Shtetit.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë ndaj Agim Gjinit.

Ai akuzohet dhe është i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Golden bullet”.

Operacioni i koduar “Golden bullet” u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe nisi menjëherë pas arrestimit të të shumëkërkuarit, shtetasit Nuredin Dumani, i cili u arrestua si rezultat i operacionit policor të koduar “Arratia”, operacion i cili u zhvillua nga strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.