Bota Greqia trembet nga kërcënimi i Erdogan: Ka kaluar çdo kufi, do informojmë...

Greqia trembet nga kërcënimi i Erdogan: Ka kaluar çdo kufi, do informojmë menjëherë aleatët

Pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi Greqinë se do të paguajë shtrenjtë nëse ka ndërhyrje në ishujt në Detin Egje, vendi i është përgjigjur presidentit turk.

Ministria e Jashtme greke i cilëson deklaratat e Erdogan provokuese dhe gjykon se ai ka kaluar çdo kufi me kërcënimet e tij. Për këtë do të informohen dhe aleatët.

“Greqia nuk do të ndjekë Turqinë në deklaratat dhe kërcënimet e përditshme skandaloze. Ne do t’i informojmë menjëherë aleatët dhe partnerët tanë për përmbajtjen e deklaratave provokuese të ditëve të fundit, për të bërë të qartë se kush po e dinamizon kohezionin e aleancës sonë në një periudhë veçanërisht të rrezikshme,” – shkruhej në njoftimin e Ministrisë së jashtme greke.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar Greqinë për pushtimin e ishujve në Detin Egje që kanë status të çmilitarizuar, duke kërcënuar se Ankaraja është e gatshme të bëjë “çfarë është e nevojshme” kur të vijë koha.

“Unë rekomandoj Greqinë të shikojë historinë. Nëse Athina shkon shumë larg, çmimi do të jetë i lartë. Ne kemi një gjë për t’i thënë Greqisë dhe kjo është të kujtojmë Izmirin,” tha Erdogan.

Izmiri është një provincë në bregun perëndimor të detit Egje në Turqi, e njohur edhe për faktin se forcat greke u dëbuan nga ai vend nga forcat turke.