Politika Hapet në Tiranë dega e tretë e Kolegjit Europian, Rama: S’ka asnjë...

Hapet në Tiranë dega e tretë e Kolegjit Europian, Rama: S’ka asnjë mësues që t’i bën nervat copë si BE, por na mëson si të bëjmë shtet

Për Presidenten e KE Ursula von der Leyen, hapjen e degës së tretë të Kolegjit Europian të Bryzhit në Tiranë, do të krijojë për Ballkanin Perëndimor një urë të fortë drejt Bashkimit Europian.

Von der Leyen dha po ashtu edhe lajmin e mirë se Komisioni Europian do verë në dispozicion 15 bursa gjatë 3 viteve të ardhshme për të gjithë studentët e Ballkanit Perëndimor.

“A ka mënyrë më të mirë sesa kjo për të përgatitur të ardhmen e Shqipërisë sesa kjo këtu, për të trajnuar brezin e ardhshëm. Kështu ne nisëm punën, folëm me Kolegjin e Europës, tani më pak se një vit me pas, ja ku jemi këtu sot duke krijuar themelet e degës së tretë të Kolegjit të Europës, këtu në Tiranë. Ne e mbajtëm fjalën, nesër do të hapim zyrën, por sot do të përqendrohemi tek ata që do t’i japin jetë kolegjit, studentëve. Që nga ky moment e tutje ne duhet ta mbajmë mënd mirë këtë moment, studentët në Shqipëri, nga Ballkani Perëndimor, nga Europa e më gjerë, mund të aplikojnë për të studiuar këtu në degën e tretë të Kolegjit të Europës. Shtimi i një dege tjetër jep kontributin e vet për Shqipërinë dhe rajon. Kjo është dega e tretë e Kolegjit, e dyta u krijua në Poloni, dhe ajo që bëri për Poloninë dhe vendet e tjera kandidate në atë kohë, edhe kjo do të bëjë të njëjtën gjë. Për t’i përgatitur ata për anëtarësimin në BE. Edhe kjo degë e Kolegjit Europian do të bëjë të njëjtën gjë për Ballkanin Perëndimor duke krijuar një urë të fortë drejt Bashkimit Europian.

Komisioni ka caktuar fonde për mbështetjen e  krijimit të kampusit, por më shumë fonde do të vijojnë. Jam gjithashtu shumë e kënaqur që ju thatë që 31 studentë do të jenë pjesë e kursit master, por unë kam kënaqësinë që t’ju njoftoj që do të kemi një paketë financiare me bursa, për studentët e Ballkanit Perëndimor. Do të kemi 15 bursa gjatë 3 viteve të ardhshme. Besoj që të gjithë e kuptojmë sesa e rëndësishme është kjo”, tha von der Leyen.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se “ky Kolegj është më shumë sesa një universitet që vjen këtu nga jashtë e që bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi për një arsim të nivelit më të lartë, të klasit më të lartë për të rinjtë tanë.

Besoj fort që Europa për ne ka të bëjë me dijen, me të mësuarit sesi të gjitha problemet që kemi trashëguar nga e shkuara t’i zgjidhim. Si të gjejmë mënyrat e duhura për të ndërtuar institucionet tona. Si të transformojmë atë çka është më e rëndësishmja për një vend të ri në këtë sfidë si ne: dijen dhe shtetin. Gjithnjë mendoj sa të bekuar jemi që jetojmë në këtë vend, e sa të bekuar jemi që rrethohemi nga BE. Po të hedh një sy në të shkuarën tonë, nuk ka shumë arsye për të qenë të frymëzuar apo për të besuar në një të ardhme të shndritshme, e nëse ka një arsye që vende të tjera që vijnë nga një e shkuar e njëjtë e vështirë, nuk e gjejnë dot, sepse nuk janë në Europë, është Europa vetë. Askush nuk mund t’u mësojë atyre që gjenden në pjesë të tjera të botës, që duan të ecin përpara. BE është më i miri që e bën këtë, askush nuk mund ta shoqërojë një vend që të dalë nga e shkuara e vet e të sigurojë një shtet demokratik e funksional për qytetarët e vet siç bën BE. E di që nuk është aspak e lehtë, nuk ka asnjë mësues që t’i bën nervat copë si BE, nuk ka asnjë dyshim. Ma merr mendja që kolegji është në pararojë të kësaj, por nuk ka rrugë tjetër.

Besoj se ky Kolegj është më shumë sesa një universitet që vjen këtu nga jashtë e që bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi për një arsim të nivelit më të lartë, të klasit më të lartë për të rinjtë tanë. Sepse përveç kësaj është edhe një mësim më i thelluar për vetë BE, për rrugëtimin drejt tij. Për të gjitha këto mendoj se kemi të drejtën sot që të jemi të lumtur dhe besoj shumë më tepër të rinj shqiptar sesa 31 të tillë janë të prirur dhe duan të jenë pjesë e tij. Sigurisht plani është që numri të rritet në vitet në vijim, por numri nuk do të jetë asnjëherë aq i madh saç është kërkesa për të qenë pjesë, çka nënkupton se edhe konkurrenca do të bëhet gjithmonë e më tepër sfiduese”.

Në vigjilje të Samitit të liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të zhvillohet nesër në kryeqytet, u zhvillua sot në Shtëpinë e Europës, ceremonia e lançimit të programeve për vitin akademik 2024 – 2025, i cili do të nisë me 31 studentë. Gjatë ceremonisë, Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, njoftoi ndër të tjera edhe nisjen e procesit të aplikimeve online për vitin e ardhshëm akademik për studentët që do të studiojnë në Universitetin Europian të Bryzhit, në kampusin e Tiranës.