Politika Holanda vendos kushte për hapjen e negociatave për Shqipërinë, dritë jeshile për...

Holanda vendos kushte për hapjen e negociatave për Shqipërinë, dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut

Qeveria holandeze propozon hapjen e negociatave me kushte për Shqipërinë, ndërsa për Maqedoninë e Veriut jepet drita jeshile pa pengesa. Diskutimet janë mbajtur në mbledhjen e sotme, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga parlamenti më 17 mars, për të përcaktuar qartë qëndrimin që Holanda do të mbajë më 24 mars në BE.

Holanda bashkë me Francën dhe Danimarkën ishin tre vendet që bllokuar hapjen e negociatave vitin e kaluar, duke votuar kundër në Këshillin e BE-së.

Me metodologjinë e re të zgjerimit, Franca ndryshoi qasje kurse Holanda tashmë vendos disa kushte për Shqipërinë. Kushtet pritet të ketë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Në princip, qeveria holandeze duket se bie dakord që BE të nisë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por një shumicë dërrmuese në Parlament e kundërshton një gjë të tillë.

Më shumë kjo shihet si një sjellje taktike e qeverisë së Holandës, pasi tashmë do të fokusohet tek diskutimet për buxhetin e BE-së.

Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë për zgjerimin në fund të këtij muaji dhe pritet që ministri holandez, Stef Blok të pranojë që të nisin negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por, para nisjes së bisedimeve për hyrje në BE, Shqipëria duhet të qartësojë disa çështje, mes të cilëve janë funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë si dhe vijimi i luftës kundër krimit të organizuar.

Parashikohet që zyrtarisht negociatat me Shqipërinë të hapen brenda 9 muajve. Brenda BE-së ka një shumicë të madhe që janë pro nisjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.