Aktualitet Hoxha: Nuk janë vrarë gazetarë, por jemi shumë pranë

Hoxha: Nuk janë vrarë gazetarë, por jemi shumë pranë

Një nga kërcënimet më të mëdha për mediat vjen nga bota e krimit. Në vende të rajonit, por edhe disa vende të Bashkimit Europian ka pasur edhe gazetarë të vrarë, gjë që për fat të mirë nuk ka ndodhur në Shqipëri. Por për gazetarin investigativ, Artan Hoxha, situata tashmë ka ndryshuar edhe në Shqipëri.

“Fatmirësisht deri tani nuk ka ndodhur një gjë e tillë, por të gjithë indikatorët që kam unë më thonë që po e konsumojmë atë pjesën e hapësirës që dukeshim të paprekshëm”, tha Hoxha në A2 Debat. “Sepse në momentin kur edhe media fillon e rrit nivelin e denoncimin ndaj krimit, krimi sot nuk është më në nivelin e ’97-s, krimi sot është një nga investitorët në media, sidomos në ato sociale”.

Raportimi i aktivitetit kriminal nga gazetarët, i bën ata të ekspozuar ndaj rrezikut, sipas Hoxhës. “Gjatë vitit 2018 ka pasur një ristrukturim të botës së krimit në vend, ka shpërthyer një konflikt brenda kësaj bote. Puna që bëj më ka kufizuar në rutinën time të përditshme. Bëj një skaner të çdo vendi që shkoj dhe kë takoj, pasi situata ka evoluar. Nuk mund ta them frikë, por vigjilencë ose kujdes. Gjatë vitit të kaluar janë denoncuar rresht ngjarjet në Shkodër, ngjarjet në Elbasan dhe sidomos në Vlorë. Unë shkoja në Shkodër për të parë edhe ndeshje futbolli, por tani nuk shkoj dot më. Ka pasur dhe raste që nuk ke si i shpëton”.