Aktualitet I dha 225 mijë dollarë ish-agjentit McGonigal, Agron Neza merret në pyetje...

I dha 225 mijë dollarë ish-agjentit McGonigal, Agron Neza merret në pyetje për 6 orë në SPAK

Pas rreth 6 orësh, Agron Neza ka dalë nga dyert e SPAK, ndërsa në dalje u ka thënë shkurtimisht gazetarëve se duhet të pyesin prokurorët se përse ndodhej në SPAK.

Agron Neza u pyet këtë të hënë për rreth 6 orë nga Prokuroria e Posaçme. Ai u paraqit pa avokat në ambientet e SPAK në mesditë, për të dalë prej andej rreth orës 18:00. Neza nuk foli për mediat, duke iu thënë shkurtimisht gazetarëve që për arsyen e thirrjes së tij, të interesohen në Prokurori. “Pyesni Prokurorinë”, iu tha Neza gazetarëve.

Dosja

Agron Neza, i cilësuari si “personi A” në dosjen hetimore “McGonigal” mësohet se ka dhënë shpjegime për llogari të hetimit të SPAK mbi kallëzimin e bërë një vit nga Gazment Bardhi, ku akuzon Ramën se ka paguar ish-agjentin e FBI me qëllim stisjen e pagimit të parave ruse për lobim nga PD.

Sipas dosjes hetimore amerikane, Neza i ka dhënë një shumë prej 225 mijë euro ish-agjentit të FBI McGonigal, shumë që nuk është deklaruar nga ky i fundit.

Për të njëjtën çështje në muajin nëntor dha shpjegime për disa orë në SPAK ish-zyrtari Dorian Duçka.

Dënimi i McGonigal

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal u dënua me 4 vjet e 2 muaj burg nga një gjykatë në Nju Jork më 14 dhjetor të vitit të kaluar.

Ai pranoi fajësinë për bashkëpunimin e tij të fshehtë me oligarkun rus, Oleg Deripaska, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i akuzuar se kishte ndihmuar në aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Prokurorët Federalë kishin kërkuar të paktën 5 vite burg ndërsa avokatët mbrojtës këmbëngulën që ai të mos dënohej me heqje lirie pas pranimit të fajit. Megjithatë gjykata tha se krimi i kryer ndaj tij ishte mjaft i rëndë.

Vetë McGonigal tha se ishte i penduar për veprimin e kryer.

Ndaj tij ka edhe një çështje tjetër në Uashington për fshehjen e faktit se kishte marrë 225 mijë dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj i cili u më pas u bë informator i FBI-së.

Edhe në këtë rast, ai ka pranuar fajësinë dhe pritet që gjykata të japë vendimin më 16 shkurt.