Sport Futbolli në zi, vdes legjenda e kombëtares italiane, Xhixhi Riva

Futbolli në zi, vdes legjenda e kombëtares italiane, Xhixhi Riva

Futbolli italian është në zi pasi ka humbur sot një nga legjendat më të mëdha.

Xhixhi Riva, ish-sulmuesi i njohur italian, u nda nga jeta sot në moshën 79-vjeçare në Kaljari, qytetin ku ai u bë një nga emrat më të njohur të futbollit botëror.

Riva kishte ndjerë probleme shëndetësore në shtëpi dhe ishte dërguar me urgjencë në spital, ku situata e tij ishte normalizuar, siç kishte bërë të ditur edhe një raport mjekësor i publikuar gjatë pasdites.

Por në darkën e sotme, situata e tij është përkeqësuar dhe gjatë darkës është dhënë lajmi për ndarjen e tij nga jeta.

Riva ka qenë një nga emrat më të njohur të futbollit italian. Ai e lidhi jetën e tij si futbollisti me Kaljarin dhe Sardenjën duke fituar titullin kampion me Kaljarin në sezonin 1969-1970, i vetmi në historinë e këtij klubi duke u kthyer në një idhull absolut.

Ai ishte president nderi i Kaljarit, në klubin ku kaloi thuajse të gjithë karrierën e tij, duke luajtur 376 ndeshje e shënuar 207 gola.

Ndërkohë, me kombëtaren italiane, ai luajti 42 ndeshje, duke shënuar 35 gola, teksa edhe sot e kësaj dite mbetet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve i Italisë.