Aktualitet I përmendi gruan (ministren Besa Shahini), dy politikanët në Kosovë grushta pas...

I përmendi gruan (ministren Besa Shahini), dy politikanët në Kosovë grushta pas emisionit

Ka mjaftuar përmendja e gruas (ministres së Arsimit, Besa Shahinit), që debati mes dy kandidatëve për deputetë në Kosovë, Haki Abazi dhe Dardan Molliqaj, të përfundojë në përplasje fizike.

Abazi, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Molliqaj (bashkëshorti i ministres Shahini), ish-drejtues i partisë se Albin Kurtit, por tashmë i larguar në Partinë e Shpend Ahmetit, kanë pasur debate të ashpra gjatë emisionit Pressing në “T7”. Edhe pse ishin në transmetim të drejtpërdrejtë, ata kishin konfrontime të forta gjatë gjithë debatit televiziv duke fyer njëri-tjetrin.

Por përplasja fizike duket se erdhi kur Dardan Molliqaj i tha Abazit se do ta shihte në ëndërr pasi e ka përmendur gjatë gjithë kohës.

 “Po them një batutë të fundit, me që Hakia më ka përmendur aq shpesh, them se edhe do më shohë sot”, tha Molliqaj.

Por përgjigja e zotit Abazi duket se ishte e papërmbajtur, duke përfshirë në debat edhe zonjën Shahini.

“E mira është që ti s’je i vetmi Dardan, ty nuk të shoh në ëndërr kurrë, ty as gruaja jote nuk të sheh në ëndërr”, i tha Abazi, duke i kërkuar zotit Molliqajt të mos e thërrasë Hakia, pasi është në gjininë femërore.

Por bashkëshorti i ministres Shahini duket se ia ktheu shkurt duke i thënë se “dukej pak si femër”.

Kjo është arsyeja kryesore që e nxiti debatin e ashpër deri në përleshje fizike mes Abazit e Molliqajt

Ka mjaftuar ky debat që tensionet të arrinin kulmin, ndërkohë që Abazi dhe Molliqaj vazhdonin duke fyer njëri-tjetrin. Pas përfundimit të pjesës së parë të emisioni “Pressing”, Abazi dhe Molliqaj duket se vendosën ta zgjidhnin fizikisht “problemin” duke qëlluar njëri-tjetrin me grushte. Ndërhyrja e stafit të emisionit duket se nuk ka qënë e mjaftueshme për t’i ndarë të dyja palët, duke detyruar të pranishmit të telefonin policinë.

“Kam qenë duke dalë nga korridori i televizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën mbrapa dhe donin të më godisnin. Ishte një njëfarë situate e pakëndshme, më kapën edhe prej fyti”, deklaroi Abazi.

Por Molliqaj duket se ka mohuar gjithçka, edhe pse si ai ashtu edhe zoti Abazi janë marrë në pyetje nga policia e Kosovës.

“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Çdo veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike”, ka deklaruar bashkëshorti i ministres Shahini pas incidentit.

Ndërkohë, në një reagim në faqen e saj në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur Molliqajn, bandit.