Sport Ibrahimovic, lojtari më i mirë i muajit tetor në Serinë A

Ibrahimovic, lojtari më i mirë i muajit tetor në Serinë A

Liga e Serisë A i dha çmimin e lojtarit më të mirë të muajit tetor sulmuesit të Milanit, Zlatan Ibrahimovic. Trofeu do t’i dorëzohet 39-vjeçarit para përballjes së kuqezinjve me Veronën, të dielën, më 8 nëntor, në “San Siro”. Renditja është përpiluar sipas sondazheve statistikore të “Stats Perform” (një sistem i patentuar në 2010 me K-Sport), me ndihmën e të dhënave të gjurmimit të regjistruara nga “Netco Sports”.

Për llogaritjen përfundimtare u morën në konsideratë statistikat e ndeshjeve të javës së katërt, pestë dhe gjashtë. Ndër karakteristikat kryesore që veçuan numrin 11 të kuqezinjve mbi kampionët e tjerë të mëdhenj janë: efikasiteti teknik prej 96.3%, efikasiteti fizik prej 92% dhe aftësia e jashtëzakonshme taktike (97%), që u lejon shokëve të skuadrës të performojnë në mënyrën më të mirë. Gjithashtu Ibra është dalluar për mbrojtjen e topit, driblimet dhe kontrolli i topit, që i kanë dhënë mundësi të mos mos humbasë kurrë një duel 1 kundër 1.

“Fillimi i sezonit për Zlatan Ibrahimovicin ishte fantastik, me shtatë gola të shënuar në katër ndeshje. Sulmuesi suedez ka ndryshuar fytyrën e Milanit që kur u kthye në kampionatin tonë, duke tërhequr shokët e tij në fushë me karizmën dhe cilësinë e tij. Ibrahimovic është një kampion që nuk njeh limite dhe është prova se mosha nuk është një faktor përcaktues nëse punoni çdo ditë me seriozitet, entuziazëm dhe pasion “, – deklaroi Luigi De Siervo, CEO i Ligës së Serisë A.