Kulturë Ikona e Ungjillëzimit, një prej perlave të Muzeut Ikonografik “Onufri”

Ikona e Ungjillëzimit, një prej perlave të Muzeut Ikonografik “Onufri”

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat, përmes një postimi në rrjetet sociale, solli në vëmendjen e publikut një prej ikonave më të vjetra të koleksionit ikonografik të Muzeut “Onufri”.

Bëhet fjalë për ikonën e Ungjillëzimit, vepër e shek. XIV-XV, me autor anonim dhe me prejardhje nga kisha e Ungjillëzimit në Kalanë e Beratit.

Skena në plan të parë paraqet kryeengjëllin Gabriel në këmbë duke i dhënë lajmin e mirë Maries e cila qëndron ulur mbi një fron. Ikona me përmasa të vogla, është kompozuar me nivel të lartë artistik brenda një sfondit arkitektonik ku dominon simetria dhe loja shumëplanëshe drejt perspektivës, tipike në artin e Rilindjes italiane.

Ikona mban numrin 17 në rubrikën e audioguidës që ofron ky muze. Muzeu “Onufri” është unik me vendndodhjen e tij në zemër të ansamblit të banesave historike, listuar nga UNESCO si pasuri e njerëzimit, brenda mureve të kalasë mijëvjeçare në Berat.