Politika Bardhi i shtrin dorën për bashkëpunim Bashës: Duhet të jemi një përballë...

Bardhi i shtrin dorën për bashkëpunim Bashës: Duhet të jemi një përballë kundërshtarit

Rithemelimi i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit grupimit të Lulzim Bashës. Pas sulmeve dhe akuzave të artikuluara si opozitë e shitur që nuk përfaqëson shumicën, sot Rithemelimi ka bërë një hap pas dhe ka vendosur që t’i jap një anëtar në grupin e punës që do të ndërtohet për ligjet që kërkojnë 94 vota.

Referuar marrëveshjes së arritur pak ditë më parë me mazhorancën, ky grup pune do të ketë 6 anëtarë, 3 nga opozita dhe 3 nga socialistët. Nga PD-ja e Bardhit dhe Berishës është caktuar që të jetë Oerd Bylykbashi, Erisa Xhixho e Partisë së Lirisë dhe vendi i tretë i është lënë Lulzim Bashës. Anëtarë zëvendësues, do jenë Dhurata Çupi dhe Fatmir Mediu.

Ftesa për bashkëpunim është artikuluar edhe nga vetë kreu i grupit, Gazment Bardhi.

“Përballë kundërshtarit politik do duhet të jemi një trupë e vetme. Janë të lutur që përmes sekretarit të grupit të na paraqesin propozimin përkatës nëse duan ta marrin përsipër këtë përgjegjësi. Ne jemi të hapur”, tha ai në një konferencë për mediat për gazetarët.

“U kam lënë një vend kolegëve që janë anëtarë të grupit parlamentar, për të dhënë një mendim ndryshe në Kuvend. I kam propozuar grupit dhe e ka miratuar që një vend ti rezervohet kolegëve që mendojnë ndryshe nga grupi, qoftë për zhvillimet e partisë si shprehje e qartë që ne kemi nevojë për çdo zë. Ne ballafaqojmë ide, por sigurisht në fund respektohet vullneti i shumicës se kështu funksionon çdo grupim e parti politike. Unë nuk e kam mohuar ndonjëherë se me një pjesë kam komunikim të vazhdueshëm, i respektoj 7 apo 8 kolegë, ne u kemi rezervuar një vend. Absolutisht i qëndroj këtij zotimi publik”, theksoi më tej Bardhi.

Krerët e grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi u dakordësuan që komisioni parlamentar i ligjeve të gjejë mekanizmin e duhur për të ngritur një grup pune për të krijuar dialogun politik për ligjet që duan shumicë të cilësuar prej 94 votash, si dhe për ato që janë pjesë e agjendës së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.