Sport Inzaghi takohet me drejtuesit, jep miratimin për blerjen e mesfushorit shqiptar

Inzaghi takohet me drejtuesit, jep miratimin për blerjen e mesfushorit shqiptar

Simone Inzaghi zbarkoi pasditen e djeshme në zyrat e Interit për të takuar drejtuesit e klubit dhe për t’u përditësuar mbi zhvillimet më të fundit në merkato, teksa mediat pranë klubit zikaltër zbulojnë edhe detaje nga bisedat.

Kështu trajneri ka dhënë miratimin për transferimin e Kristjan Asllanit nga Empoli dhe Raoul Bellanovës nga Cagliari, dy futbollistë të rinj dhe me mjaft perspektivë, teksa tashmë topi kalon në këmbët e drejtuesve të Interit që pritet të mbyllin marrëveshjet.

Mesfushori shqiptar shihet si zëvendësuesi ideal i Marcelo Brozovic dhe që mund të rritet gradualisht nën hijen e kroatit, ndërsa Bellanova është një anësor i shpejtë e teknik, që mund të bëjë shumë mirë të dy krahët e mesfushës me 5 që përdor Inzaghi.

Veç tyre, trajneri është siguruar edhe për marrëveshjen me Mkhytarian, që refuzoi rinovimin me Romën dhe që këtë javë mund të kryejë vizitat mjekësore e të firmosë me zikaltrit një kontratë dy vjeçare.

Po sa i përket merkatos në hyrje, Inzaghi është informuar edhe për situatën me Dybalën, që është ende në pritje, por edhe atë me Lukakun, që dëshiron rikthimin dhe pritet të negociojë personalisht me drejtuesit e Chelsea.

Ndërkohë në merkaton në dalje, trajneri është siguruar se pjesa më e fortë e skuadrës do të qëndrojnë, teksa drejtuesit do të provojnë të gjejnë paratë e kërkuara nga shitja e lojtarëve që nuk bëjnë pjesë në planet për të ardhmen, si Sensi, Gagliardini, De Vrij, apo edhe Dumfries.