Politika Ismailaj reagon ndaj akuzave të PD-së: Nuk kam qenë i dënuar në...

Ismailaj reagon ndaj akuzave të PD-së: Nuk kam qenë i dënuar në Greqi

Kryetari i bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj ka reaguar pas akuzave të PD-së si ka qenë i dënuar në Greqi.

Në një prononcim për mediet, Ismailaj tha se nuk është ndaluar asnjëherë në Greqi

“I hapur për çdo lloj verifikimi të mundshëm. Unë punoj si kryetar i bashkisë së Mallakastrës. Kam deklaruar formularin e Dekriminalizimit. Nuk jam ndaluar asnjëherë nga policia greke”, theksoi ai.

Po ashtu, Ismailaj shtoi se ka motrën në Greqi dhe ajo ka pasur disa probleme familjare. “Isha para dy javësh atje”, tha ai.

PD: Edi Rama i Mallakastrës mashtroi sërish sot

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se “sipas të dhënave të mbledhura nga PD, Qerim Ismailaj, rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik”.

“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar në Greqi dhe më pas është dënuar dhe dëbuar në periudhën 1999-2000. Ky është rasti i katërt, pas atij të Shkodrës, Vorës, Vaut të Dejës që konfirmon se Edi Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit të organizuar dhe ndan pushtet politik me krimin e organizuar. Njëlloj si Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku apo Babani i Vaut të Dejës edhe Edi Rama i Mallakastrës u përbetua sot para mediave se nuk ka patur asnjëherë probleme me drejtësinë në Greqi. Në fakt ky është një mashtrim. Ai njëlloj si Edi Rama e di mirë se ka të shkuar kriminale dhe se është i dënuar në shtetin grek. Partia Demokratike po punon dhe shumë shpejt do të provojë për opinionin publik edhe zyrtarisht se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe se në bazë të ligjit të Dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik”, tha Bardhi.