Sport Italia sekuestron pronën me vlerë 105 milionë euro të ish-pilotit rus të...

Italia sekuestron pronën me vlerë 105 milionë euro të ish-pilotit rus të Formula 1

Italia ka sekuestruar një kompleks banimi në pronësi të ish-pilotit rus të Formula 1, Nikita Mazepin dhe babait të tij Dmitry, i cili njihet si një ndër oligarkët më të afërt të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Policia italiane bëri me dije se vlera e kësaj prone arrin në 105 milionë euro dhe ndodhet në Sardenja, shkruan CNN.

“Një pasuri e paluajtshme me vlerë rreth 105 milionë euro është sekuestruar, pasi i atribuohet miliarderit rus Dmitry Arkadievich Mazepin dhe djalit të tij Nikita Dmitrievich Mazepin. Prona është një kompleks banimi në Portisco, Sardenja”, thuhej në njoftimin e policisë.

Prona e sekuestruar në Sardenja të Italisë

Nikita dhe babai i tij, janë të përfshirë në listën e personave të sanksionuar nga Bashkimi Europian, për shkak të pushtimit rus në Ukrainë.

Pak ditë para fillimit të kampionatit botëror të Formula 1, skuadra amerikane e Haas vendosi të heqë pilotin rus, për shkak të lidhjeve të babait të tij me Presidentin rus.