Aktualitet Kanosën me armë fqinjin dhe e goditën me grushte në banesën e...

Kanosën me armë fqinjin dhe e goditën me grushte në banesën e tij, arrestohen 3 familjarë

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fundviti”, në fshatin Shtanë të Kukësit është parandaluar një ngjarje e mundshme kriminale.

Policia njofton se janë arrestuar 3 familjarë të cilët kanë kanosur me armë dhe plagosur fqinjin në banesën e tij për motive të dobëta. Konkretisht është arrestuar 48-vjeçari me iniciale D.(B).V., vëllai i tij, 44-vjeçari me iniciale S.V. si dhe djali i 48-vjeçarit, 20-vjeçari me iniciale J.V., të tre banues në fshatin Shtanë.

Ata kanë shkuar në banesën e 53-vjeçarit ku e kanë kanosur me armë dhe goditur me grushte pas një konflikti për motive të dobëta.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë gjysmë-automatike, 1 automjet dhe celularët e 3 të arrestuarve. Vijojnë hetimet për të individualizuar dhe dokumentuar ligjërisht, përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.