Sport Katër skuadrat ku mund të transferohet Messi nëse largohet nga Barcelona

Katër skuadrat ku mund të transferohet Messi nëse largohet nga Barcelona

Menjëherë pasi Barcelona humbi zyrtarisht luftën për titullin kampion në La Liga, Lionel Messi vërshoi me një lum kritikash ndaj klubit dhe lojtarëve.

Kaq mjaftoi që të nisin edhe aludimet e para për të ardhmen e argjentinasit. Ne rast se ka një mundësi sado të vogël qoftë ajo që Messi të largohet nga Barcelona, katër janë opsionet ku mund të shkojë.

Opsioni i parë është ribashkimi me Pep Guardiolën tek Manchester City. Nën drejtimin e spanjollit sulmuesi kaloi periudhën më të artë të karrierës së tij dhe një ribashkim mes të dyve nuk duket edhe aq i pamundur.

Një tjetër pistë edhe kalimi tek PSG. Messi ka treguar se i mungon të luajë përkrah Neymar dhe në rast se Barcelona nuk mundi të rikthejë brazilianin në Cump Nou, atëherë sheikët francezë mund të bëjnë të mundur bashkimin e kësaj dysheje në Paris.

Ndërkohë që një mundësi që duhet thënë se është në kufijtë e të pamundurës është kalimi i Messit tek Juventus, aty ku do gjente rivalin e tij të përjetshëm Cristiano Ronaldo dhe ku do formonin mbase sulmin më të mirë të historisë së futbollit.

Ndërsa opsioni i fundit është rikthimi në Argjentinë tek Newell’s Old Boys, edhe pse duhet thënë që është akoma herët që një lojtar si Messi të largohet nga skena e futbollit evropian.