Kryesore “Këta lojtarë janë”, Hysaj: Panuçi e kishte gabim, mendoj se do bëjmë...

“Këta lojtarë janë”, Hysaj: Panuçi e kishte gabim, mendoj se do bëjmë diçka spektakolare

Elseid Hysaj ka folur përpara mediave në konferencën përshtyp për ndeshjen me Andorrën. Kapiteni i Kombëtares ishte shumë optimist për sfidë e nesërme dhe jo vetëm.

Sipas tij lojtarët kanë shumë besim tek kualifikimi dhe se në të ardhmen ata do të bëjnë gjëra spektakolare. Gjithashtu ai u shpreh se Panuçi e kishte gabim, faktin që shprehej se potenciali i skuadrës nuk ka qenë i duhuri për të bërë gjëra më të mëdha

Si e pritët largimin e Panuçit?

Besoj që nuk duhet ta mendojmë punën e trajnerit. Kemi një ndeshje të rëndësishme që duhet ta fitojmë, na duhen tre pikë jo vetëm për Europianin, por edhe për moralin tonë dhe gjithë shqiptarët. Duhet të fitojmë dhe mos të mendojmë shumë për trajnerin.

Si kanë ndikuar gjithë këto ngjarje në këto ditë?

Jemi të gjithë me mendjen që duhet të fitojmë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe do ta kemi të vështirë të shënojmë ashtu siç e pati dhe Islanda. Nuk duhet të mendojmë për asgjë që ka ndodhur, duhet të vazhdojmë.

Si është situata në dhomat e zhveshjes?

Situata është shumë e mirë. Ndeshja e humbur nuk do na dënojë për të gjithë ndeshjet e radhës. Duhet ta harrojmë atë që ka ndodhur. Do jetë e vështirë po nuk e harruam humbjen. Jemi gati për të dhënë maksimumin në ndeshjen ndaj Andorrës.

Panuçi tha se disa prej lojtarëve kanë qarë… Si është gjendja psikologjike…?

Kështu e ka futbolli. Ne duhet të mendojmë për të mirën e ekipit Kombëtar. Nuk duhet të rrimë mbrapa këtyre gjërave që ndodhëm. Jemi mërzitur, sepse kemi kaluar edhe çaste të bukura me trajnerin Panuçi.

Nga i buronte mosbesimi Panuçit te ju?

Nuk e di nga i buronte. Çdo trajner ka mendimin e vet. Unë i besoj shumë kësaj kombëtareje. I njoh shumë mirë çunat. Kemi shumë besim dhe nëse na pyet përsëri do të themi se do kualifikohemi. Unë mendoj se ai e ka gabim dhe mendoj se do të bëjmë diçka spektakolare në vazhdim.

Çfarë mendoni për Andorrën?

Mendoj se Andorra është një ekip për t’u vlerësuar. E dimë çfarë skuadre ka. Shpresoj që me trajnerin tonë të arrijmë të marrim 3 pikë.

Ndihesh 100% kapiteni i kësaj skuadre?

Unë besoj se dhe me votim jam dhe moralisht. Unë jam afër me çunat dha ata janë afër me mua. Shpresoj të vazhdoj të jem kapiteni i kombëtares dhe ndihem shumë mirë me këtë përgjegjësi.