Aktualitet Kledian Leka, një histori suksesi/ I verbri i parë që diplomohet në...

Kledian Leka, një histori suksesi/ I verbri i parë që diplomohet në Parma për Shkenca Kompjuterike

ITALI- Kledian Leka është i diplomuari i parë i verbër në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Parmës. Sipas mediave italiane, 23-vjeçari me origjinë shqiptare kaloi me nderime provimin e diplomës, të cilin e kishte titulluar “Edukimi i Shkencave Kompjuterike, strategji dhe mjete për akses gjithëpërfshirës për studentët me aftësi të kufizuara në shikim”.

Një synim që shkon përtej notës.

“Teza ime mund të jetë një manual për të ndihmuar fëmijët me dëmtime të plota ose të pjesshme të shikimit. Nuk kishte materiale mësimore për nxënësit e verbër, kështu që u nisa për të përkthyer dhe konvertuar të gjitha dokumentet tradicionale për ata që studionin në braille (alfabeti për të verbrit), në mënyrë që edhe ata të kishin mundësi për të lexuar,”- tha ai për “Corriere della Sera”.

Klediani u dha një pyetësor studentëve të tjerë të verbër, në të cilin u kërkonte të tregonin propozimet dhe mbi të gjitha pengesat që hasnin gjatë studimeve, përmbledhja e të cilave u përfshi në tezën e tij të diplomës. Gjatë rrugës ai takoi studentë, të cilët pas disa muajsh vendosën të largoheshin të dekurajuar nga vështirësitë dhe tani, falë angazhimit të tij, kanë shpresa më konkrete për të ecur përpara në rrugën e arsimimit.

Klediani, i cili në moshën 11-vjeçare humbi shikimin si pasojë e një aksidenti, aktualisht është programues i një kompanie shumëkombëshe.

“Punoja nga ora 08:00 deri në 13:00. Pastaj, nga ora 14:00 deri në 2:00 angazhohesha për të studiuar. Nuk kam menduar kurrë të ndalem dhe të ndjej keqardhje për veten time, ndaj edhe vendosa të luftoj për të realizuar të gjitha ëndrrat e mia”.

Ai u diplomua si ekspert IT me nota të larta dhe është i regjistruar në regjistrin kombëtar të mësuesve të IT si dhe është kualifikuar për të trajnuar atletë të verbër pasi ushtroi atletikën në nivel garues për dy vjet.