Kryesore Konferenca e Donatorëve, Komisioni Europian jep 100 milionë euro për Shqipërinë

Konferenca e Donatorëve, Komisioni Europian jep 100 milionë euro për Shqipërinë

Komisioni Europian do të japë 100 milionë euro për procesin e rindërtimit nga dëmet e tërmetit.

Shuma e madhe do t’i shtohet 15 milionë eurove të dhëna nga BE menjëherë pas fatkeqësisë së 26 nëntorit dhe nuk përfshin shumat që do të dhurojnë shtetet e tjera anëtare.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se BE do të monitorojë gjithashtu procesin e rindërtimit dhe alokimit të fondeve.

“I gjithë Bashkimi Europian u mobilizua për një vend që është në zemër të kontinentit dhe shpresoj e jam e bindur që një ditë do të jetë gjithashtu pjesë e unionit. Shqiptarët e dinë më shumë se kurrë tani që i përkasin familjes europiane. E gjithë bota është mobilizuar në mbështetjen tuaj”, tha Presidentja e Komisionit Europian.

“Nevojat vazhdojnë të jenë të mëdha dhe duhen përballuar me urgjencë. Kostot e rindërtimit janë vlerësuar rreth 1 miliard euro dhe është e qartë që Shqipëria nuk e mban dot këtë barrë e vetme. Sot u premtojmë shqiptarëve që jemi këtu për një kohë të gjatë, solidariteti ynë do të mbetet i madh si në momentet e para pas fatkeqësisë”, tha Ursula von der Leyen