Politika Kreditë me 0% interes për ushtarakët, Rama: Blerja e një shtëpie me...

Kreditë me 0% interes për ushtarakët, Rama: Blerja e një shtëpie me pagë mesatare në Shqipëri nuk është e lehtë

Në një ceremoni, ku lajmërohet nisja e zbatimit të programit të kredive me zero interes për blerjen e shtëpive për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe efektivëve të policisë, kryeministri Edi Rama e cilësoi planin e qeverisë një mundësi të artë, pasi sipas tij blerja e një banese me pagë mesatare në Shqipëri është jo e lehtë.

“E materializuam edhe një tjetër program në funksion të ushtarakëve, të punonjësve të policisë dhe të mjekëve. Një program themelor për perspektivën e çdo vajze, djali, gruaje, burri në krijimin e familjes apo në nevojën për t’i dhënë një familje të re mundësin e një shtëpie, që jemi të gjithë të vetëdijshëm nuk është një mundësi e lehtë për ata që janë me paga të sektorit publik apo dhe privat dhe që hyjnë në pagën mesatare të Shqipërisë. Sot interesat bankare janë mbi 6%, janë shumë për dikë që ka vetëm një pagë. Dhe për më tepër nuk është e lehtë për bankat që ta japin këtë kredi duke pasur parasysh perspektivën. Ne kishim 330 kuota këtë vit. Është hera e parë, procesi vetë ka pasur probleme të natyrës burokratike, por është vetëm fillimi. Edhe ne edhe aplikantët do të mësojnë nga ky vit i parë dhe vitin e ardhshëm do të kemi mundësinë ta zgjerojmë numrin. Ne po shohim mundësin që të gjithë ju në këto kategori të bëheni me shtëpinë tuaj. E njëjta gjë vlen për mjekët që sot janë një gjah i dëshiruar nga të gjithë.”

Sipas Ramës, plani i qeverisë për kreditë me zero interes është më ambicioz dhe synon të zgjerohet vitin e ardhshëm, duke iu dhënë mundësi të rinjve që të shohin perspektivën për të ndërtuar jetën dhe për të bërë karrierë në vendin e tyre.

“Mendoj që kjo po bëjmë sot është shumë e rëndësishme, pasi njerëzit të cilët i përkushtohen një karriere që është e lidhur me shërbimin publik përveç të tjerash kanë nevojë të shohin perspektivën. Dhe unë i mirëkuptoj të rinjtë që deri para pak kohe e shikonin të vështirë perspektivën në polici dhe FA, sepse puna është jashtëzakonisht sfiduese dhe pagat ishin të atilla që s’të japin asnjë mundësi të shohësh perspektivën. Ushtria jonë ishte më e keq paguara, jo e NATO-s por edhe e rajonit. Synimi ynë është që paga për ushtarakët të shkojë në mesataren e NATO-s, duke u rritur çdo vit. Kjo është çështje perspektive për të rinjtë që duhet t’i shohin FA jo vetëm si mundësi për t’i shërbyer atdheut, por edhe mundësinë për të pasur një perspektivë të sigurtë.”